Një pjesë e deputetëve të Kosovës dhe të Shqipërisë do të mblidhen të premten në Prishtinë, në seancën e përbashkët të të dyja kuvendeve, pasi hapësira e pamjaftueshme e sallës pamundëson pjesëmarrjen e të gjithëve. E në ditët në vijim pritet të konkretizohet nëse kjo seancë solemne do të jetë e fundit për legjislaturën e tetë të Kosovës
Deputetë të Kosovës e të Shqipërisë do të bëhen bashkë të premten në Prishtinë. Në javët e fundit të mandatit të dy legjislaturave, kuvendet e të dyja shteteve do të mbajnë seancë të përbashkët prej orës 11:00.
Deputetëve, përveç kryekuvendarëve e shefave të grupeve parlamentare do t’iu drejtohen edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Albin Kurti. Shefja e deputetëve të partisë në pushtet – Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kjo do të jetë mundësi e mirë që të reflektohet për prioritetet e mandateve të ardhshme të dy parlamenteve.
“Synimi i përbashkët është agjenda e përbashkët evropiane për të dyja shtetet, si dhe kjo është e vetmja periudhë kohore në të cilën legjislatura e tetë mund të mblidhet kur kihet parasysh që vitin tjetër përveç zgjedhjeve tona janë dhe zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Kusari.
Nga Shqipëria në seancë pritet të marrin pjesë 60 deputetë, e numri i atyre të Kosovës do të përcaktohet nga mundësia e akomodimit dhe disponueshmërisë së tyre, pasi nuk ka ulëse për të gjithë.
“Mbetet që të përdoret pjesa pas, t’i akomodojnë së paku të gjithë deputetët që dëshirojnë të marrin pjesë. Nuk kemi një kufizim në numër”, ka thënë Kusari-Lila.
Kosova dhe Shqipëria kanë mbajtur seancë të përbashkët dy vjet më parë në Tiranë, me rastrin e shënimit të 110-vjetorit të Pavarësisë.
Ndërkohë mbetet e paqartë nëse kjo seancë solemne do të jetë e fundit për legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës. Diskutimet për një seancë ku do të hidheshin në votim marrëveshjet e mbetura ndërkombëtare po vazhdojnë.
“Ne si grup parlamentar e kemi konfirmimin edhe të deputetëve të cilët kanë vendosur të mos rikandidojnë që në rast të mbajtjes së një seance votimi do të jenë prezentë, prandaj pritet konfirmimi nga grupet parlamentare të opozitës”, ka thënë shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
E shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se janë duke bërë përpjekje që të gjendet një zgjidhje.
“Çka ka mbetur në Kuvend pa u kryer janë marrëveshjet ndërkombëtare që do të shohim nëse do të ketë mundësi të organizohet seancë e veçantë për këtë punë, por nuk ka akoma indicie që do të organizohet. Gjithsesi jemi në përpjekje për të bërë një zgjidhje”, ka deklaruar ai.
E ankesa për disa seanca të Kuvendit të Kosovës kanë shprehur në Partinë Demokratike.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se pamundësimi i pjesëmarrjes së deputetëve opozitarë në seancën e 5 dhjetorit është praktikë e rrezikshme.
Ligjet që u miratuan në këtë seancë, Partia Demokratike i ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. Për përmbajtje, e të dytën herë me radhë PDK-ja ka dërguar në Kushtetuese Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Derisa për procedurën e miratimit, në Kushtetuese nga PDK-ja janë kontestuar edhe 15 ligje të tjera që kaluan në Kuvend brenda një dite, duke iu shmangur afateve të përcaktuara me rregullore.
“I dhashë sot një vërejtje edhe kryetarit të Kuvendit, edhe mazhorancës se mënyra se si janë ftuar ato seanca është në kundërshtim flagrante me Rregulloren dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke i dhunuar të drejtat e një deputeti për punën në seanca”, ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë të hënën.
Deputetët kanë komentuar edhe emërimin e ish-emisarit amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, si përfaqësues për misione të posaçme ndërkombëtare.
Arben Gashi i LDK-së ka thënë se do të bashkëpunojnë me këdo që SHBA-ja e cakton përfaqësues dhe se është jashtë fuqive të tyre komentuese e vendimmarrëse emërimi i zyrtarëve të lartë amerikanë.
Ndërsa Mimoza Kusari-Lila ka theksuar se e rëndësisë së madhe është vazhdimësia e partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.