Tri projektligje janë miratuan në seancën e së enjtes të Kuvendit, që më pas është ndërpretë për shkak se deputetët nuk u kthyen nga pauza. E gjatë kohës sa seanca është zhvilluar, nga opozita kanë shprehur kritika lidhur me Raportin e Progresit për Kosovën i hartuar nga Komisioni Evropian. E pushteti është mburrur me të, duke thënë se shpërfaq arritjet e Qeverisë
Për një orë e 10 minuta, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, nuk arriti ta konstatonte kuorumin për ta nisur seancën plenare, ani se në sallë ishin më shumë se 80 deputetë. Kjo iu pamundësua, meqë pushteti nuk i pati 61 deputetë e opozita nuk deklarohej për prezencë me anë të votimit elektronik.
Këtë ngërç e tejkaloi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili u paraqit shkurt në sallë, vetëm me misionin që ta hapte seancën dhe t’ia linte drejtimin e saj Bogujevcit. Ai e arsyetoi nisjen e punimeve, pavarësisht mungesës së dëshmisë elektronike për praninë e deputetëve.
“Neni 54, z. Tahiri, i Rregullores thotë që kryesuesi i seancës e hap seancën kur janë të pranishëm shumica e deputetëve të Kuvendit”, është shprehur Konjufca.
Pasi e nisi seancën, Konjufca, edhe dha ca udhëzime.
“Fjolla Ujkani flet prej mazhorancës dhe pastaj grupet parlamentare me rend”, ka thënë ai para se të dilte nga salla.
Në seancë është diskutuar për Raportin e Progresit për Kosovën i hartuar nga Komisioni Evropian, i cili sipas pushtetit ka shpërfaqur përparimin e Kosovës në disa fusha.
“Ky raport evidenton përparimin e Kosovës në fusha të ndryshme që përfshin reformat institucionale, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal. Pasi të kemi përmbledhur këtë raport shohim se nuk ka fusha të shënuara me regres si në vitet e kaluara”, ka thënë deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani.
Por në opozitë Raporti i KE-së është lexuar ndryshe.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit fliste për kërcënim serioz në Qeveri ndërkohë që Komisioni Evropian flet për centralizim të pushtetit, atëherë kjo përkthehet që Kosova, të vetmen rrugë që e ka zgjedhur është izolimi, autoritarizimi dhe përpjekja për fundin e demokracisë”, ka deklaruar deputeti Driton Selmanaj nga radhët e LDK-së.
Në seancë është ngritur shqetësimi edhe për punëtoret e pastrimit të Kuvendit, të cilat ka gati dy muaj që janë në grevë me kërkesën për rritje të pagës, e cila aktualisht është më e ulët se paga minimale.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka kritikuar Kuvendin dhe Qeverinë se nuk po ndërmarrin veprime.
“E kemi një kompani private që nuk po respekton vendimin e Qeverisë, por tjetra është që kjo kompani ka kontratë me Kuvendin, me ligjbërësit me ne... E pakta që është dashur të bëhej është ti shkëputet kontrata. Duhet të kujdeseni të zbatoni ligjet në fuqi”, ka thënë Bajrami.
Partitë opozitare patën vërejtje të shumta edhe ndaj ministrit Liburn Aliu për projektet infrastrukturore, të cilat, sipas ministrit, po shkojnë me trend normal.
“Për rrugën Dollc – Gjakovë, besoj se një pjesë e vërejtjeve qëndron. Është projekt i trashëguar. Pjesa e Badovcit është duke shkuar në trendin normal tani”, ka thënë Aliu.
Opozita nuk e ndihmoi me vota Vetëvendosjen që ta bënte zëvendësimin nëpër komisione të tre deputetëve të saj, tash të larguar nga partia, Eman Rrahmanit, Visar Korenicës e Drita Millakut. Në LDK me ironi e treguan arsyen pse u përmbajtën nga votimi.
“Është vendosur më herët në legjislaturën e kaluar një precedent i keq prej Lëvizjes Vetëvendosje, ku ne si LDK kemi dashur ta zëvendësojmë një deputet dhe nuk na keni lejuar. Gjithsesi unë mendoj se ju takon juve, është e drejtë e juaja, por meqë e kemi marrë një deputet nga ju, nuk po duam të ndërhymë në çështjet tuaja të brendshme dhe ju mbetet juve ta zgjidhni”, u shpreh shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
Megjithatë, kjo u miratua pa ta. Zëvendësimet që u bënë në Komisionin për buxhet do t’ia bëjnë pushtetit më të lehtë trajtimin dhe miratimin e ndryshimeve në Projektbuxhetin e vitit të ardhshëm që pritet të dërgohet në Kuvend. Në seancë u miratuan edhe tri ligje, ai për mbrojtjen e konsumatorit, Ligji për kripto-asetet dhe Ligji për regjistrin e pronarëve përfitues. Pas trajtimit të tyre deputetët shkuan në pauzë nga e cila nuk u kthyen më.
Kryeparlamentari bashkë me një deputet të LVV-së, një të LDK-së e 6 të PDK-së pritën 20 minuta e më pas e ndërprenë seancën për ta vazhduar të hënën.
Pa trajtim mbetën 20 pika që ishin në rend të ditës.