LAJMET E MBRËMJES

Deputetë opozitarë akuzojnë Hajdarin për projektin 14.3 milionësh

Deputetë të opozitës kanë akuzuar ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari, se gjatë zbatimit, e ka devijuar një projekt që mbështetet me 14.3 milionë euro kredi të marrë në Bankën Botërore. Ministria i mohoi akuzat. E në Komisionin parlamentar për ekonomi ku u diskutua mbi projektin, pati polemika edhe për çështje të tjera.

Ndryshimet në një projekt që realizohet nga kredia prej 14.3 milionë eurosh e marrë në Bankën Botërore, kanë përplasur në Komisionin parlamentar për Ekonomi opozitën dhe ministren e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë.

Deputetë të opozitës thanë se ndryshimi i projektit që mbështetet me kredinë e ratifikuar në Kuvend përbën shkelje ligji.

“Me çfarë baze ligjore ju e keni ndryshuar marrëveshjen pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës? A mund të na jepni sqarime se pse kanë përfituar grante, kompani të cilat nuk u janë përmbajtur kritereve? Grante kanë nënshkruar kompani të ndërtimtarisë e edhe këshilluese”, ka thënë Ferat Shala, kryetar i Komisionit për Ekonomi.

“Mos të mundohemi që t’i fshehim këto që për mua asnjë amater nuk do të mund t’i bënte”, ka thënë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Ministrja Rozeta Hajdari tha se gjithçka është bërë sipas procedurave.

“Të gjitha grandet janë nënshkruar nga ‘teamleader’ i zgjedhur nga procedurat e Bankës Botërore dhe nuk ka asnjë akuzë”, është shprehur ministrja e Tregtisë.

Gjatë mbledhjes së komisionit ka pasur polemika edhe për mosracionalizim të kohës.

Projekti që mbështetet me hua, e për zbatimin e të cilit pati polemika në Kuvend, ka të definuar si qëllim mbështetjen për certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, por edhe të forcojë kapacitetin e bizneseve të orientuara kah eksporti dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e tyre.