Me 7 vjet e 6 muaj burgim është dënuar Shaban Gogaj për dy vepra penale - vrasjen e Agonis Tetajt dhe armëmbajtje pa leje. Trupi gjykues në shpalljen e aktgjykimit e ka rikualifikuar veprën penale ndaj Gogajt, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia
Shaban Gogaj është shpallur fajtor për vrasjen e të riut Agonis Tetaj dhe është dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim. Në këtë kohëzgjatje të dënimit të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë, tre vjet i referohen armëmbajtjes pa leje.
Trupi gjykues, në shpallje të aktgjykimit, e ka rikualifikuar veprën penale, nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”. Në mesin e familjarëve të shumtë që ishin prezentë, epilogun e gjykimit erdhën për ta parë nga afër edhe dy fëmijët e të ndjerit Tetaj, por askush nga ta nuk e komentoi dënimin.
Kryetarja e trupit gjykues arsyetoi vendimin, derisa sqaroi se prokurori i rastit nuk ka ofruar asnjë provë të re me rihapjen e shqyrtimit gjyqësor.
“Pas përfundimin të shqyrtimit gjyqësor, prokurori jep fjalën përfundimtare dhe tani sërish në fjalën përfundimtare nuk jep ndonjë arsye apo sqarim, se cilat kanë qenë arsyet e kalimit, nga vrasja nga pakujdesia, në vrasje të rëndë. Gjykata pas analizimit dhe vlerësimit të lartëcekur dhe vlerësimit të dispozitave ligjore ka konstatuar se që nga rihapja e shqyrtimit gjyqësor, prokurori nuk ka ofruar prova të reja të cilat do të ndikonin në rikualifikimin tani të sërishëm, nga vrasja nga pakujdesia në vrasje të rëndë, prokurori nuk ka ofruar asnjë argument”, u shpreh gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova.
Husaj-Rugova ka thënë se nuk ka pasur bazë ligjore që i akuzuari të ngarkohej me veprën penale të “vrasjes së rëndë”.
“Nuk mund të lejohet veprim në dëm të pandehurit pa pasur bazë ligjore, vetëm largimi i një prokurori nga rasti dhe ardhja e një prokurori tjetër, nuk është bazë që tani t’i rëndohet gjendja procedurale dhe tani i akuzuari të ngarkohet me një vepër më të rëndë penale”, ka thënë ajo.
Prokuroria Themelore në Pejë, në vitin 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Shaban Gogajt, për veprën penale vrasje e rëndë, por që prokurorja ishte përjashtuar nga rasti. Rasti i ishte bartur Prokurorisë së Gjilanit dhe prokurorit Agron Uka, që e kishte rikualifikuar veprën si vrasje nga pakujdesia.
Pak ditë para shpalljes së aktgjykimit, babi i Tetajt kishte publikuar videon e vrasjes, duke nxitur reagime të shumta, përfshirë edhe të drejtuesve institucionalë, për çka edhe rasti u kthye në pikën zero.
Në krah të të akuzuarit Gogaj ishte edhe avokati Besnik Berisha, i cili ishte përjashtuar nga ky rast, duke bërë që procesi gjyqësor të bllokohet për më shumë se 1 vit. Vendimin ndaj Gogajt, Berisha e cilësoi vendosje të drejtësisë.
“E rëndësishme është që për mua ka qenë një epilog i pritur, një epilog i merituar, mendoj që kjo është drejtësia. Kështu kam thënë edhe para një viti e sa mu në këtë kënd, përkatësisht me 19 mars, kur është rihapur, rihapja ka qenë e kundërligjshme, u faktua se nuk ka pasur dashje, s’ka pasur qëllim, s’ka pasur synim”, ka thënë Berisha.
Pa fjalë e pa komentim të vendimit janë larguar familjarët e Tetajt nga Gjykata Themelore e Pejës, derisa avokati i tyre, Berat Tmava, nuk është përgjigjur.
Për armëmbajtje pa leje është shpallur fajtor edhe Isuf Cacaj, i cili u dënua me 2 mijë euro gjobë.
Agonis Tetaj është qëlluar me armë zjarri më 23 shtator të vitit 2018 në vendin e tij të punës nga Shaban Gogaj, djali i pronarit të firmës ku ishte angazhuar tashmë i ndjeri.