Është mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj seanca gjyqësore rreth sulmit fizik të fillimvitit që iu bë një 31-vjeçareje me probleme mendore nga Gjilani. I akuzuari për këtë rast u deklarua i pafajshëm para trupit gjykues. Seanca u zhvillua e mbyllur për publikun, pasi i akuzuari ngarkohet se ka kryer vepër penale “Dhunë në familje”
B.S., i dyshuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj 31-vjeçares me probleme mendore nga Gjilani, është deklaruar të martën i pafajshëm para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Përveç në shkurt, ai dyshohet se viktimën e ka keqtrajtuar fizikisht edhe në janar të vitit të shkuar.
Në aktakuzën e siguruar nga KOHA thuhet se si rrjedhojë e këtyre veprimeve i akuzuari ka shkaktuar shqetësim psikologjik te viktima.
“I pandehuri me dashje ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarës Adile Sadriu, për shkak të një mosmarrëveshje mes vete, në atë mënyrë që, derisa ishin në banesën e të pandehurit, i njëjti sulmon fizikisht të dëmtuarën duke e goditur me grushte në kraharor e që nuk kishte marrë trajtim mjekësor. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve tek e dëmtuara u shkaktuan shqetësim emocional, frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e saj”, thuhet në aktakuzë.
Seanca gjyqësore për rastin, me kërkesë të prokurores e mbrojtjes së të akuzuarit, është mbajtur me dyer të mbyllura për publikun pasi, sipas aktakuzës, i pandehuri e ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.
E seanca është ndërprerë pas gati 30 minutash, pasi avokati i viktimës, Hamdi Jashari, ka kërkuar që klientja e tij të konsultohet me një psikolog.
“Seanca e sotme është ndërprerë, pasi që propozimi ynë ka qenë që të njëjtës t’i bëhet një ekzaminim apo një vlerësim nga ana e një psikologu, në mënyrë që të vlerësohet se a është e aftë në mënyrë që deklarata e saj të ketë fuqi në instancat e tjera. Ky rast i sotëm që ishte i caktuar për gjykim i vërteton të gjitha pretendimet e të dëmtuarës që në mënyrë sistematike ka pasur dhunë fizike dhe forma të tjera për më tepër se një vit”, ka thënë avokati Jashari.
31-vjeçarja dyshohet se është dhunuar fizikisht dhe është përdorur edhe seksualisht nga i akuzuari.
Rasti mori vëmendje pasi pamjet e saj u shfaqën në rrjete sociale, në shkurt të këtij viti. Për këtë rast edhe është protestuar në Gjilan.