LAJMET E MBRËMJES

Dedaj thotë se nuk e mban mend që Thaçi e pati kërcënuar më 1998-n

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, e ka vazhduar për të dytën ditë dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerët. Ai ka thënë se nuk mban mend se pas vizitës së tij dhe një delegacioni të Kuvendit më 1998-s në Qirez, është kërcënuar nga Thaçi për t’i braktisur pozitat që i mbante

Në ditën e dytë të dëshmisë në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, të martën, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë Speciale në Hagë dhe të mbrojtjes lidhur me ndalimin dhe keqtrajtimin e tij në fshatin Baicë të Drenasit, më 1998.

I pyetur nga prokurorja Deborah Mayer, rreth deklaratës që ai ia pati dhënë EULEX-it në vitin 2014, Dedaj ka thënë se nuk i kujtohet që në shtatorin e 1998-s ishte kërcënuar nga Thaçi, pas përfundimit të ndalimit të tij.
“Pra, përpara se të largoheshit, ndërkohë që Hashim Thaçi iu shtrëngoi dorën, siç e përshkruani ju, ai ju kërkoi që të hiqnit dorë nga postet që i kishit dhe ju kërcënoi? A është e vërtetë?”, ka pyetur prokurorja Deborah Mayer.

Dedaj tha se ishte takim miqësor.

“Nuk më kujtohet dhe me Hashim Thaçin jemi përshëndetur burrnisht, jo si tash që përshëndetemi në COVID, por si burrat që përshëndeten me dorë, sikur që duhet dhe të tjerat nuk më kujtohen”, ka thënë Dedaj.
Prokurorja Mayer e ballafaqoi Dedajn me provat materiale të xhirimeve nga konferenca për shtyp në Prishtinë, e mbajtur pas kthimit nga vizita e tij dhe e 13 deputetëve të tjerë të Kuvendit, në Qirez e Baicë. Pas kësaj, ai insistoi se ka pësuar lëndime nga rrëzimet në baltë, teksa ishte duke shkuar në banjë në oborrin e shkollës në Baicë dhe gjatë ngjitjes në malet e Çyçavicës. Nuk i ka dhënë konfirmimin as pyetjes rreth lëndimeve të ish-bashkëpartiakut, Sokol Blakaj.

“Dëshmitar a e shihni pjesën pak më të errët mbi vetullën e z. Sokol Blakaj?”, ka pyetur prokurorja Mayer.

Dedaj është shprehur se “nuk kam vërejtur asgjë te Sokol Blakaj”.

Prokurorja e ZPS-së insistoi në deklaratën e Dedajt dhënë më 2014 se Blakaj pati pësuar lëndime.
“Po, ju në maj të 2014-s keni thënë se ai ka pasur lëndime në fytyrë dhe unë po ju pyes, a është kjo pjesa ku është lënduar?”, ka pyetur Mayer.
Pas kësaj, dëshmitari Dedaj ka përsëritur se është distancuar nga ato që ka thënë më herët.

“1 mijë herë do t’jua përsëris se jam distancuar nga të gjitha që i kam thënë gjatë 2001, 2014 e këto, sepse i kam thënë pa pasur informacione dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, emocionale, psikologjike...”, ka thënë Dedaj.
E avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, e ka pyetur nëse për vizitën e realizuar e pati paralajmëruar zyrën politike të UÇK-së, të udhëhequr nga Adem Demaçi.

“Nuk e kemi njoftuar atë zyrë dhe është e vërtetë që nuk e kemi njoftuar askënd nga UÇK-ja sepse ne ishim, nëse mund të quheshim, deputetë”, është përgjigjur Dedaj.
Dedaj do ta vazhdojë dëshminë e tij edhe të mërkurën, kur pritet që t’u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes.

Pos si ambasador, Dedaj ka shërbyer edhe si pjesëtar i Qeverisë vite më parë.