LAJMET E MBRËMJES

Dedaj thotë se ka qenë i informuar që deklarimi i rremë në EULEX përbënte vepër penale

Me përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes dhe të trupit gjykues, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, e përmbylli të mërkurën dëshminë treditore para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Gjatë seancës, ai e përsëriti distancimin e tij nga deklaratat e dhëna në EULEX më 2014, teksa konfirmoi se ka qenë i informuar se deklarimi i rremë në Prokurori përbën vepër penale

Ditën e fundit të dëshmisë në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, tha të ketë qenë i informuar që deklarimi i rremë përbën vepër të dënueshme penale.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, Guénaël Mettraux, lidhur me ndryshimin e deklaratave në seancë krahasuar me ato në Prokurorinë e EULEX-it më 2014, Dedaj përsëriti se distancohet nga ato që i pati thënë asokohe. Tha se ato ishin të motivuara nga hakmarrja politike dhe se asokohe nuk ishte në gjendje të mirë psikologjike e emocionale.

“Që të jem i qartë, ju e dinit që kur po ju intervistonte EULEX-i, mosthënia e të vërtetës përbën një vepër penale, sipas ligjeve të Kosovës. A ishit në dijeni të kësaj?”, ka pyetur Guénawl Mettraux – gjyqtar.

“Pa avokat, as këshilltar juridik”, ka thënë Dedaj.

“Por, a ju informuan që të mos e tregonit të vërtetën para prokurorit është vepër penale apo jo?”, ka pyetur gjyqtari.

“Unë jam informuar, por nuk kam pasur... kurrë në jetën time s’kam qenë në gjykatë dhe nuk e kam vlerësuar që duhet domethënë atë... dhe s’kam pasur asnjëherë as këshillë juridike e as avokat”, ka thënë Dedaj.

Në pjesën pyetjeve nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Dedaj konfirmoi vërtetësinë e procesverbalit të Partisë Liberale, kryetar i së cilës ishte, e në të cilin theksohej që ai dhe 12 deputetët e tjerë të Kuvendit ishin trajtuar në mënyrë dinjitoze nga pjesëtarët e UÇK-së gjatë vizitës së tyre në Baicë e Qirez më 1998.

Më 2014, Dedaj pati dëshmuar në EULEX se rrugën nga Qirezi deri në Baicë e kishte përshkuar në të njëjtën veturë me Rexhep Selimin.

I pyetur nga mbrojtja e ish-shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rastin, Dedaj iu përgjigj se mund ta ketë pasur gabim.

“E di që e keni thënë edhe më herët që Rexhep Selimi nuk iu prezantua e as nuk e prezantoi dikush dikë tjetër si Rexhep Selimi atë ditë, por në mënyrë të ngjashme, askush në Qirez apo në Baicë nuk të ka thënë ty se nofka e Rexhep Selimit ishte ‘Guri’, a është kështu?”, ka thënë Eric Tully – avokat i Rexhep Selimit.

“E di që ka qenë në makinë me mua ai për të cilin po flasim. Kur e kam pyetur: kush je mor ti? Më ka thënë jam Guri. E nuk e di kush është Guri sot e atë ditë”, ka thënë Dedaj.

Dedaj, që të mërkurën e përmbylli dëshminë treditore në Hagë, ka mbajtur pozita të ndryshme në Kosovë, përfshirë atë të deputetit dhe të zëvendësministrit. Posti i tij i fundit ishte ai i ambasadorit në Maqedoninë e Veriut, në të cilin u dekretua më 2018 nga presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi.