Pa asnjë rezultat ka përfunduar mbledhja e radhës e Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore. Në një pjesë të takimit mbi një orësh deputetët janë përplasur për tema ku nuk kanë munguar akuzat për tradhti ndaj votuesve e për viktimizim të subjekteve të caktuara politike në kohë fushatash
Me akuza e kundërakuza ndërmjet deputetëve të LDK-së e LVV-së për viktimizim e vjedhje të mandateve është përcjellë mbledhja e radhës e Komisionit për rezerva shtetërore. Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Driton Hyseni, u ka thënë deputetëve opozitarë se nuk mund ta ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve në Komision. E ka thënë këtë kur është ankuar se në fund të mbledhjes paraprake nuk i është dhënë fjala dhe nuk është hedhur në votim një propozim i tij.
“Para se të bëhet një kërkesë te Ministria kam kërkuar që përveç Ligjit që parasheh hetimin parlamentar ta konsultojmë edhe Ligjin për Qasje në Dokumentacionin e Klasifikuar. Ju e dini që me nenin 17 të Ligjit për Qasje në Dokumentacionin e Klasifikuar janë tri institucione të vendit të cilat i qasen këtij dokumentacioni pa pasur nevojë të marrin certifikatë sigurie. Ne do ta kishim një përgjigje nga Agjencia për Mbrojtjen e Dokumentacionit të Kualifikuar për një ose dy ditë”, ka thënë Driton Hyseni. “Nuk e kuptoj pse duhet ne të kemi vendime të tilla për mos hedhje në votim të një propozimi të një deputeti të pozitës. Nuk jam ithtar që të kemi mbledhje ku çështjet parimore që duhet t’i trajtojmë, siç janë propozimet e deputeteve, injorohen nga ana juaj. Edhe nëse është propozimi më i gabuar, ju mund ta hidhni në votim”.
Sqarimin për këtë e ka dhënë kryesuesi i Komisionit, Rashit Qalaj. Fillimisht ka thënë se të gjithë e dinë pse si Komision nuk kanë avancuar deri tash.
“Dhe nuk bëhet fjalë për një mbledhje e dy, por bëhet fjalë për 5 muaj. Jam munduar ta ruaj një korrektësi edhe kur nuk keni pasur fare të drejtë. E kur është vërejtur se me të gjitha veprimet që po i bëni si subjekt politik, qëllimisht po e shtyni dhe prolongoni funksionimin e këtij Komisioni nga arsyet më të ndryshme”, ka theksuar Qalaj.
Ndërsa sa i përket konsultimit të Agjencisë, sipas tij, nuk ka nevojë meqë nuk është palë në këtë proces.
“Ne e kemi afatin e fundit 6 prill, ku përfundon edhe mandati i këtij komisioni. Ne deputetët e opozitës jemi pajtuar që t’ia bëjmë një kërkesë Kryesisë së Kuvendit në emër të deputetëve të opozitës, mirëpo e kemi lënë në takim sot që t’ju pyesim edhe juve të pozitës se a i bashkoheni kërkesës tonë për vazhdimin e mandatit të këtij Komisioni”, ka thënë Qalaj.
Ai ka thënë se edhe mund ta pyesin Agjencinë për Mbrojtjen e Dokumentacionit të Kualifikuar.
“Kemi marrë edhe një sugjerim nga Prokuroria e Shtetit, nga Prokuroria Speciale, nga kryeprokurori Prokurorisë Speciale që gjatë hetimit ne duhet të jemi të kujdesshëm pasi kemi të bëjmë me dokumentacione të klasifikuara”.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, i është kundërpërgjigjur Driton Hysenit se nuk i kanë fituar të vetëm 50 për qind të votave.
“Nëse mblidhemi për të folur për një Komision hetimor parlamentar është gjithmonë vetëm një arsye pse ne nuk flasim për këtë komision, jo pse ne zgjedhim të flasim për tema të tjera, është sepse ju gjithmonë dilni në tema tjera. Dhe këtë çështjen e votave, z.Hyseni vetëm një gjë duhet ta keni parasysh, pa Vjosa Osmanin dhe Listën Guxo asokohe ju kurrë në jetë nuk do të mund ta shihni 50-përqindshin. Fatkeqësia e madhe është që një pjesë e madhe e deputetëve tuaj edhe edhe kur deklarojnë privatisht e publikisht nuk i referohen asaj vote të Listës që ka qenë substanciale”, ka thënë Doarsa Kica-Xhelili. “Një gjë duhet parasur parasysh, ne jemi të djathtë, Lista ka qenë e djathtë, në çdo koncept të mundshëm. Lista ka qenë për sundim të ligjit në çdo koncept të mundshëm. Lista nuk do të duhej, sikurse unë kurrë nuk kam pranua me u bë e majtë. Po të isha e mjatë do të isha në Lëvizjen Vetëvendosje, po nuk jam. Kategorikisht kam qenë kundër listave të majta prej fillimit”.
Deputetje Kica-Xhelili ka theksuar se me një të tretën e anëtarëve të Komisionit do ta dorëzojnë një kërkesë në Ministri për t’ua sjellë listën e dokumenteve të kërkuara rreth çështjes së rezervave shtetërore.
“Nëse nuk i sjell, ta keni parasysh, Ligji për hetim parlamentar kur kërkon diçka është sikurse të kërkojë prokurori në një proces hetimor penal. Ka përgjegjësi penale mosdërgimi i atyre shkresave. E mos t’i dorëzojnë pastaj, nuk e kam atë problem. Por kemi tentuar me ju bindë edhe ju me na u bashkangjitur në një kërkesë racionale... Unë jam duke e përfundua listën e atyre dokumenteve dhe në fund ta të kërkoj edhe nënshkrimin e atyre që duan me mbush kriterin e atyre nënshkrimeve”.
Ndërkohë, deputeti Driton Hyseni, ia ka kujtuar asaj se në fushatë elektorale e ka kërkuar votën për një subjekt tjetër politik.
“Në 2021 a e ke dit ku është zyra e LDK-së? Pse s’ke shkuar atje edhe me mbush aplikacionin edhe me kandidu për deputete me qenë një e djathtë edhe me dalë atje? Veç një gjë, ta sqarojmë. Kam të drejtë se fole për forcat politike që i kemi takuar në fillim të mandatit. Ke marrë mandatin nga votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që partner e kanë pas Listën Guxo. Lista Guxo sot është bashkë me Vetëvendosjen. Vetëm ju jeni ajo që e keni braktisur Listën Guxo dhe Listën Vetëvendosje, i keni braktisur të gjithë ata njerëz që juve ju kanë besuar që jeni për ndryshimin në Kosovë. Keni ikë në mënyrë shumë tinëzare”, është shprehur deputeti Hyseni. “Fole për Vetëvendosjen edhe po të tregoj, që mandatin që e ke marrë përmes Vetëvendosjes, e ke tradhtuar, sepse ke marrë mandat për ta bërë ndryshimin në Kosovë dhe je kthye e ke shti mandatin tënd në kuadër të komplet opozitës edhe e ke tradhtuar misionin tënd politik brenda Vetëvendosjes. Ke mujtë me i thanë Vjosës jo se ata janë të majtë, nuk jam për ndryshime. Unë dua qysh u menaxhua Kosova nga këto partitë ku tash je”.
Debati u acarua kur deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Halil Thaçi ka thënë se LDK-ja është viktimizuar gjithmonë në kohë fushatash.
“Po historikisht e di ky vend kush është viktimizuar. Historikisht e di. Nuk ke çka më fol mua për viktimizime. Ju veç në kohë zgjedhjesh viktimizoheni këtu edhe tregoni qysh janë vra disa njerëz prej politike”, ka deklaruar Thaçi.
Deputetja Valentina Rexhepi i ka thënë se po bëjnë filma. Ndërsa, Doarsa Kica-Xhelili, e ka pyetur deputetin Hyseni nëse mendon njësoj si Thaçi.
“A viktimizohemi na me të vramë? Me trego qysh i zgjedh për tri vjet kur as për Astritin s’keni ba kurrgja. Qysh mundet me u zgjedhë për 3 vjet?”
Edhe Driton Hyseni ka thënë se që prej pas luftës e këndej LDK-ja gjithmonë është ankuar. “Gjithmonë LDK-ja është ankuar edhe e ka ngrit çështjen. Në momentin që keni ardhur në pushtet jeni bashkuar me ato parti që i keni akuzuar në fushatë. Madje edhe sot ti je pjesë e një opozite ke tentuar me e ndryshu në Kosovë”.
Kryesuesi i Komisioni, Rashit Qalaj, ka thënë se debati ka devijuar dhe e ka mbyllur mbledhjen.
© KOHA Ditore