LAJMET E MBRËMJES

Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, Arbër Sejdiu me 15 vjet heqje lirie

Me burgim të përjetshëm është dënuar të premten Dardan Krivaqa për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, dy vjet më parë në banesën e tij. E i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu, e mori dënimin me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. Familjarët e viktimës e përshëndetën dënimin për Krivaqën, por paralajmëruan se do ta apelojnë vendimin që e kualifikuan si të ulët, që iu shqiptua Sejdiut

Dënimi me burgim të përjetshëm i është shqiptuar të premten Dardan Krivaqës nga Gjykata Themelore në Ferizaj, për vrasjen e dy vjetëve më parë të 18-vjeçares, Marigona Osmani, në banesën e tij.

Krahas tij, trupi gjykues mori vendim që i pandehuri tjetër për rastin, Arbër Sejdiu, të dënohet me 15 vjet heqje lirie për ndihmën ofruar në kryerjen e veprës penale, vrasje e rëndë.

Vendimi i shqiptuar për dënim me burgim të përjetshëm për Krivaqën u prit me emocione nga familjarët e viktimës.

“Të akuzuarit Dardan Krivaqa për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit penal të Republikës së Kosovës i shqipton dënim me burgim të përjetshëm”, ka thënë Sahit Krasniqi – kryetar i trupit gjykues.

Në aktgjykim u theksua se Krivaqa, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës Osmani, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij. Dhe se për dy ditë radhazi, ai me një shkop druri e kishte goditur viktimën vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat është konstatuar se ia kanë shkaktuar vdekjen.

“Politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe së brendshme, nga thyerjet e ashtit të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël. Këputje parciale të palcës së trurit në qafë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi theksoi se në kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë, Krivaqës i ndihmoi Arbër Sejdiu, që gjithë kohës e monitoroi situatën për t’i evituar pengesat.

“Përmes vrimës së derës së hyrjes së banesës shikon dhe përcjell gjendjen nëse ndonjëri nga banorët është duke dëgjuar apo lëvizur aty pari. Disa herë e provon derën hyrëse a është e mbyllur, me të cilat veprime i njëjti gjatë qëndrimit në banesë i përsërit herë pas here për të mënjanuar pengesat gjatë kohës që i akuzuari Dardani ishte duke ushtruar dhunë fizike ekstreme tek e ndjera Marigona”, ka shtuar Krasniqi.

Pasi Marigona Osmani pati humbur ndjenjat nga dhuna e ushtruar, Krivaqa e Sejdiu e patën dërguar atë në Spitalin e përgjithshëm të Ferizajt dhe ikën prej aty.

Familjarë të saj, të pranishëm në sallën e gjykimit, e përshëndetën vendimin për Krivaqën, por shprehën pakënaqësi rreth dënimit për Sejdiun, të cilit Gjykata ia rikualifikoi veprën penale nga vrasje në bashkëkryerje, në ndihmë në kryerjen e veprës penale.

E xhaxhai i Marigona Osmanit dhe avokati mbrojtës i familjes bënë të ditur se do ta apelojnë vendimin.

“Me dënimin për Dardan Krivaqën jemi të lumtur, me të dytin jo, 15 vjet, dy vjet i ka mbajtur – 13 vjet, pesë vjet i heqin qysh funksionon këtu pak sistemi, por e presim ne. Pjesëmarrje në vrasje dhe me u dënu me 15 vjet është pak e pakuptimtë”, ka thënë Remzi Osmani, xhaxhai i së ndjerës Marigona Osmani.

“Do ta paraqes ankesën, vazhdoj të mbes prapa vendimeve të mia nga fillimi, që kam thënë që të dy të akuzuarit e meritojnë burgun e përjetshëm”, ka thënë avokati i familjes, Gazmend Rexhepi.

Dy të akuzuarit janë liruar nga akuza për dhunim, pasi gjykata nuk ka arritur që ta konstatojë dhunimin me asnjë provë.