LAJMET E MBRËMJES

“D+” i kërkon Komunës së Prishtinës ta anulojë kontratën 12-milionëshe

Në kontratë 12-milionëshe të shërbimit “Arkitekti i Qytetit” e ka vënë llupën edhe organizata “Demokraci Plus”. Hulumtuesi i kësaj organizate, Ardit Dragusha, tha se janë gjetur shkelje ligjore në procesin e prokurimit të udhëhequr nga Komuna e Prishtinës. Gjetjet do t’i përcillen prokurorisë

Organizata “Demokraci Plus” i ka kërkuar Komunës së Prishtinës ta anulojë kontratën 12-milionëshe për shërbimin e “Arkitektit të Qytetit”.

Në një konferencës për media, të martën, hulumtuesi i kësaj organizate, Ardit Dragusha, ka thënë se kontrata për këtë shërbim mes Komunës dhe një konsorciumi është lidhur në mënyrë të jashtëligjshme. 

Sipas tij, dy anëtarë të komisionit vlerësues të ofertave, Kreshnik Ferizi dhe Bekim Mustafa, nuk kanë pasur të drejtë të jenë pjesë e kësaj trupe meqë në kohën kur bënë vlerësimin nuk ishin punëtorë të Komunës.

Dragusha ka theksuar se në këtë kontratë ka pasur edhe konflikt interesi.

“Përveç pjesëmarrjes së paligjshme në komisionin e vlerësimit të tenderëve, ekziston dyshimi i bazuar se ka konflikt interesi, pasi grupi i Operatorëve Ekonomikë që janë shpallur fitues nga ky komision vlerësues, ku anëtar ishte Kreshnik Ferizi, ka ofertuar me dokumentacion ku vetë Kreshnik Ferizi figuron si bashkëpunëtor i kompanisë fituese”, ka thënë Dragusha.

E nëpërmjet një reagimi, Komuna e Prishtinës i ka hedhur poshtë këto pretendime.

“Z. Ferizi gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar me kontratë pune nga kryeqyteti dhe në këtë komision është angazhuar si pjesë e detyrave dytësore si çdo zyrtar... Ju sigurojmë se z. Kreshnik Ferizi nuk figuron në asnjë dokument të dorëzuar nga kompania ‘Anarch SH.P.K.’, si pjesë e aplikimit për tenderin e ‘Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit’. Prandaj, nuk ka pasur asnjë konflikt të interesit”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës. 

Megjithëkëtë, sipas Dragushës, kontrata duhet anuluar. Ai paralajmëroi se informatat do të ndahen edhe me prokurorinë pasi, sipas tij, në nënshkrimin e kontratës ka elemente të veprës penale.

“Pas konferencës ky raport do t’i dërgohet edhe prokurorisë pasi ne besojmë se këtu ka konflikt të hapur interesi. Të paktën këta dy persona nuk ishte dashur të jenë pjesë e komisionit vlerësues”, ka shtuar Dragusha.

Në maj KOHA ka raportuar se pronar i njërës kompani në konsorcium që ka fituar kontratën 12-milionëshe është Astrit Nixha, i cili në të kaluarën ka pasur raporte pune edhe me një biznes të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.