Zyrtarë të partive kryesore opozitare kanë reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Tek iu referuan dyshimeve për korrupsion, ata ia faturuan përgjegjësinë kryeministrit Kurti, pasi thanë se ai ka raporte të ngushta me Krasniqin. Vlora Çitaku tha se pushteti aktual po i ngjason një “mafie energjetike”.
Përfaqësues të partive kryesore opozitare kanë implikuar të martën kryeministrin Albin Kurti, në çështjet për të cilat një ditë më parë është ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike (PDK), Vlora Çitaku, ka kërkuar hetim më të thellë në fushën e energjisë pasi, sipas saj, kjo shpie në zbulimin e keqpërdorimeve të tjera milionëshe.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se Nagip Krasniqi dhe Martin Berishaj janë miq të kryeministrit Kurti dhe theksoi se ata janë të dyshuar kryesorë për një skandal korruptues me tregtim të energjisë.
“Arrestimi i Krasniqit është vetëm Maja e Ajsbergut, i cili i ka rrënjët thellë tek eksponentë të rëndësishëm të këtij pushteti, i cili sot po i ngjason një ‘mafie energjetike’”, ka thënë Çitaku. “Mos të harrojmë, në periudhën kur kjo qeveri ia shtrenjtoi energjinë elektrike për 100 për qind qytetarëve tanë, janë dy miqtë e mirë të kryeministrit Kurti, të cilët erdhën në pozita udhëheqëse përmes favorizimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nagip Krasniqi dhe ambasadori Martin Berishaj, si të dyshuarit kryesorë në një skandal të pastër rajonal të korrupsionit masiv me tregtim të energjisë”.
Çitaku bëri thirrje për llogaridhënie.
“Të gjithë zyrtarët e lartë, ministra e ambasadorë, nën vëzhgimin e të cilëve kanë ndodhur skandalet, nuk kanë dhënë dorëheqje. Prandaj sot Partia Demokratike e Kosovës kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi të plotë, nga të gjithë akterët e përfshirë jo vetëm në këto skandale, por në të gjitha të cilat ende kërkojnë përgjigje: energjia, rezervat shtetërore, mosdeklarimet e pasurisë, skandalet diplomatike e të tjera”, ka thënë ajo.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së iu referua edhe aktakuzës për mosdeklarim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tek akuzoi pushtetin se nuk po jep llogari për ato që i quajti skandale.
“Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministres së vendit, Donika Gërvalla. Tani, na thoni, si mund ta quajmë ndryshe një pushtet përveçse korruptues, për të cilin nuk kalon asnjë muaj pa një skandal të madh të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Edhe një herë, mos harroni: Të gjithë këta njerëz, edhe shumë të tjerë të cilët kanë defiluar gjatë këtyre viteve nëpër lajmet e skandaleve, asnjë nuk ka dhënë llogari”, ka thënë Çitaku.
Prokuroria Speciale e Kosovës të hënën njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Pas këtij njoftimi ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i cili tha se më 9 shkurt, kur është data e zgjedhjeve nacionale, do të bjerë “mafia energjetike”. Edhe Abdixhiku akuzoi kryeministrin Kurti se i ka marrë nën mbrojtje Krasniqin dhe ambasadorin Berishaj, i cili po ashtu është duke u hetuar nga organet e rendit.
“Nagip Krasniqi, i caktuar nga partia në pushtet në krye të KEK-ut, akuzohet nga Prokuroria Speciale për negocimin e një TENDERI SEKRET në vlerë prej 3.4 milionë eurove. Ky tender sekret është negociuar kur Blloku A5 qëndronte jashtë funksionit për plot 9 muaj. Në atë kohë, gjatë dimrit, Kosova blinte rrymë nga 1 MILION EURO NË DITË; secilën ditë! Gjithë këtë vlerë e paguanin qytetarët e Kosovës. Sepse Qeveria, nëpërmjet Rregullatorit, kishte rritur çmimet e energjisë për 100%”, ka shkruar mes tjerash në Facebook, Abdixhiku. “ Martin Berishaj, ani pse ambasador, hetohet sot për ndërmjetësimin e bërë për blerjen e energjisë. Për këtë punë ishte shpërblyer me 2 milionë euro nga GEN-i me seli në Beograd. Martin Berishaj i kishte tërhequr plot 1.5 milionë euro para të gatshme nga njëra bankë në Prishtinë. Sikurse Nagipi, ashtu dhe Martini, kishin marrë mbrojtje publike nga kryeministri - që i kishte vendosur të dy; njërin në KEK, tjetrin ambasador në Kroaci”.
Sipas Abdixhikut, “mafia energjetike” i ka rrënjët e thella në atë që e ka quajtur “pushtet populist”.