“Qeveria e Republikës së Kosovës ka instrumentet e domosdoshme në dorë që ta ngrejë këtë çështje në instancat më të larta dhe gjëja tjetër mbase edhe më e rëndësishme që duhet bërë është që sa më parë Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe aty të demaskohet përmes një rezolute të re raporti i senatorit Marty”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku
Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë reaguar të hënën, pas raportimit nga ana e mediave zvicerane se ish-senatori Dick Marty, tash e një kohë të gjatë është nën masa të rrepta sigurie, pasi vlerësohet se është i kërcënuar me jetë nga shërbimet inteligjente serbe, të cilat, sipas këtyre mediave, donin ta vrisnin, e për këtë synonin t’ua hidhnin fajin shqiptarëve.
Në një konferencë për media, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar institucionet e Kosovës, të cilat, siç ka thënë ajo, që nga raportimi i këtij zhvillimi ende nuk kanë dhënë kurrfarë qëndrimi.
“Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj, kjo çështje vë në pikëpyetje tërë aktakuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe do të duhej të prodhonte reflektim edhe tek institucionet e Kosovës, të cilat që nga raportimi i këtij zhvillimi ende nuk kanë pasur kurrfarë qëndrimi publik.
Nënkryetarja e PDK-së ka thënë se zhvillimet e fundit me senatorin Marty tregojnë se në Hagë nuk ka substancë të besueshme për trajtim.
“Prandaj, përballë këtyre ngjarjeve që demaskojnë përpjekjet e shtetit serb kundër lirisë dhe pavarësisë sonë, kundër integrimit dhe konsolidimit tonë të jashtëm, ne të gjithë e kemi obligim që ta mbrojmë Kosovën dhe imazhin e saj”, ka theksuar Çitaku.
Sipas saj, raporti i Martyt nuk ka qenë asgjë më shumë se një agjendë shtetërore e Serbisë dhe Rusisë, kundër luftës së UÇK-së për liri.
“Kjo e konfirmon atë që e dimë të gjithë, se në mendësinë e shtetit serb dhe strukturave shtetërore serbe vazhdon mentaliteti i njëjtë i doktrinës së krimit dhe fajësimit. Por ajo çfarë është shqetësuese është vërtetimi i manipulimit që i është bërë senatorit Marty nga shërbimet sekrete serbe, që e kanë furnizuar të njëjtin me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinetet politike në Beograd dhe në Moskë, mbi të cilat është ngritur Gjykata Speciale”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se nëse një orkestrim për eliminim fizik të Martyt nga shërbimet sekrete serbe është evident, vetëm me qëllim që të përpiqen të njollosin edhe më tej të vërtetën e Kosovës, është krejt i vërtetuar edhe një orkestrim për njollosjen e luftës së UÇK-së nga po të njëjtat struktura dhe e njëjta mendësi, përmes senatorit Marty ka qenë agjendë e mirorganizuar dhe e qëllimshme, e cila s’ka pasur të bëjë asgjë as me të vërtetën e as me drejtësinë.
“Kjo përbën një absurd për të vërtetën dhe drejtësinë, sepse sot taksapaguesit evropianë paguajnë për një gjykatë e cila është ngritur mbi dezinformatat dhe fabrikimet e shërbimeve sekrete serbe, shtet i cili ka kriminelë lufte me emër e mbiemër që janë të pandëshkuar për krimet e tyre, përderisa në anën tjetër, të njëjtit i mundësohet të arrijë deri aty sa të fabrikojë e të manipulojë me dëshmi të rreme për krime lufte të UÇK-së”, është shprehur Çitaku.
Pas këtyre raportimeve ajo ka thënë se janë disa pyetje të cilave vetë Marty do të duhej t’u përgjigjej.
“Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë z. Marty dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës”, ka deklaruar Çitaku.
Nënkryetarja e PDK-së ka thënë se mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet këtë muaj, duhet të përdoret për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe luftës së saj të drejtë e jo për plasimin e politikave të brendshme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka instrumentet e domosdoshme në dorë që ta ngrejë këtë çështje në instancat më të larta dhe gjëja tjetër mbase edhe më e rëndësishme që duhet bërë, është që sa më parë Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe aty të demaskohet përmes një rezolute të re raporti i senatorit Marty”, është shprehur Çitaku.
Të hënën Agjencia Informative e Sigurisë e Serbisë, e njohur si BIA, ka mohuar se ka planifikuar vrasjen e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.
Sipas agjencisë “Tanjug”, BIA i ka nisur letër Shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane, nëpërmjet së cilës ka dënuar “pretendimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së dikujt”.