LAJMET E MBRËMJES

Cavusoglu: Gulenistët, pengesë në raportet mes Kosovës dhe Turqisë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Cavusoglu, ka thënë se Ankaraja e përkrah Kosovën në rrugën e saj euroatlantike. Në konferencën për media me homologen e tij Donika Gërvalla gjatë vizitës së tij në Kosovë, Cavusoglu ka thënë se duhet forcuar edhe më tej bashkëpunimi mes dy vendeve. Ka shprehur shqetësimin lidhur me praninë e organizatës “FETO” në Kosovë. E, Gërvalla ka shprehur mirënjohje ndaj Turqisë, që si anëtare e NATO-s ofron ndihmë për stabilitet në rajon. Kryediplomati turk gjatë ditës së diel ka takuar edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti

Rritje të investimeve turke në Kosovë ka paralajmëruar ministri i Jashtëm i Turqisë në Kosovë, Mevlut Cavusoglu. Por pengesë në raportet mes dy vendeve e ka parë ekzistencën e organizatës së Fetullah Gulenit në Kosovë.

Në konferencë për media me homologen e tij Donika Gërvalla, të dielën, gjatë vizitës së tij në Kosovë, Cavusoglu ka thënë se kjo organizatë po tenton të infiltrohet edhe në institucione.

Ai ka thënë se shteti turk e përkrah rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“I mbështesim integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës e integrimin e saj në organizata ndërkombëtare. E mbështesim anëtarësimin e Kosovës në instanca si organizata euroatlantike. Marrëveshja e tregtisë së lirë që kemi nënshkruar dy vendet ka sjellë sukses. Shihet rritje e eksportit të Turqisë për në Kosovë, por, po ashtu, ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në Turqi. Ka pasur qarqe të cilave u ka penguar kjo”, ka thënë ai.

Sa i përket organizatës së Fetullah Gulenit, e njohur si “FETO”, ai ka thënë se shihet prania e saj në Kosovë, dhe se kjo është një pengesë.

“Natyrisht, ekzistenca e ‘FETO-s’ në Kosovë është pengesa më e madhe e raporteve mes vendeve tona. Ekzistenca e ‘FETO-s’ po bën punë për të helmuar raportet tona. Strategjinë e ngjashme që e ka zbatuar në vendin tonë po e zbaton edhe në Kosovë. Po e vështrojmë këtë. Me një anë tentojnë të helmojnë të rinjtë, dhe investojnë në media, e në anën tjetër shohim të infiltrohen në institucione shtetërore. Është shqetësuese për ne. Mos i merrni parasysh fjalët e vendeve të tjera që ju thonë mbështetni ata”, ka thënë Cavusoglu.

Turqia e ka shpallur organizatën “FETO” të klerikut Fetullah Gulen terroriste. Në mars të vitit 2018, në Kosovë ishin arrestuar dhe dëbuar gjashtë shtetas turq, të cilët punonin në shkollën private “Mehmet Akif” në kryeqytet. Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

Mst: Investimet e premtuara turke në energjetikë

Cavusoglu ka folur edhe për investime në fushën e energjetikës.

“Kompanitë tona janë të gatshme të investojnë dhe nuk duan garanci të blerjes. Financimin do ta bëjmë vetë dhe për një vit do ta kryejmë”, ka thënë ai.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Turqia ka ofruar ndihmën e saj dhe është, po ashtu, aktive në Ballkan si ndërmjetësuese neutrale edhe mes Serbisë dhe të tjerëve.

“Shpresojmë që përpjekjet për ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, NATO-s, por edhe të Turqisë do të kontribuojnë që Serbisë dhe separatistëve serbë në Bosnjë-Hercegovinë t’iu pamundësohet që nën hijen e agresionit rus në Ukrainë dhe me ndihmën e Rusisë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka thënë se Kosova e ka të qartë përcaktimin e saj për integrim në të gjitha strukturat euroatlantike.

Ajo ka thënë se në këtë takim është diskutuar rreth angazhimit të Turqisë në mbështetje të disa fushave për Kosovën.

“Si gjithmonë është kënaqësi të presësh homolog e mik të mirë të Kosovës, e njeh mirë historinë. Në të gjitha lëvizjet në rajon nuk e harron përvojën jo vetëm historike, por edhe shumë të freskët të gjenocidit (serb v.j. mbi shqiptarët). Me ministrin biseduam edhe rreth angazhimit të Turqisë në mbështetjen edhe në fushën e arsimit. Po ashtu, i shpreha mirënjohje Qeverisë së Turqisë në fushën e shëndetësisë, për dhënien e trajtimit pa pagesë për pacientët nga Kosova dhe për mundësinë e trajnimeve të ofruara për punonjësit shëndetësorë”, ka thënë Gërvalla.

Mst: Marrëveshja e re shton numrin e fluturimeve Kosovë - Turqi

Të dielën është nënshkruar edhe marrëveshja mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e aviacionit, që do të rrisë numrin e fluturimeve mes dy vendeve.

Me marrëveshjen e re është rritur numri i fluturimeve nga 28 në 42 në javë.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili është nënshkrues i kësaj marrëveshjeje bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka thënë se rritja e numrit të fluturimeve do të rezultojë me uljen e çmimeve të udhëtimeve.

“Kjo marrëveshje i kontribuon zhvillimit të mëtejshëm të transportit ajror në përgjithësi, përkitazi me zhvillimin e vëllimit të trafikut ajror në mes të dy republikave”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Gjatë së dielës, kryediplomati turk është takuar ndaras edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit që u zhvillua pa prani të mediave, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët kryesorë të Kosovës në NATO.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e presidentes, thuhet se në takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, Osmani e ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe i rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.

“E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdogan për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shtuar më tej Osmani.

Mst: Shqiptarët në Turqi, urë e fortë mes dy vendeve

Në komunikatë thuhet se Osmani dhe Çavusoglu kanë diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç’rast është potencuar se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim.

“Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar Osmani, duke thënë se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve kanë potencial të thellohen edhe më tej, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi.

Ndërkohë në takim me kryeministrin Kurti, Cavusoglu ka premtuar mbështetje për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai tha se Turqia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se Kosova është vend partner i NATO-s. Po ashtu, theksoi se Republika e Turqisë i ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të viteve ’90.

Ministri vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe atë të investimeve.

Duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitivë ekonomikë, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Ai veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s, ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.

U diskutua për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje. U vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe.

***

**

Legjenda: Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se organizata “FETO”, që Ankaraja e ka shpallur terroriste, po tenton të infiltrohet në institucione të Kosovës dhe kjo, sipas tij, paraqet pengesë për raportet Kosovë - Turqi

Box****

T: Gërvalla mirënjohëse, edhe pse Turqia më s’po i trajton falas pacientët kosovarë

Pavarësisht se Turqia ka marrë vendim të mos i trajtojë falas pacientët kosovarë derisa Kosova t’ua paguajë borxhet mbi 25 milionë euro spitaleve turke, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka shprehur mirënjohje për Turqinë për mundësinë e trajtimit, siç tha ajo, pa pagesë për pacientët nga Kosova.

Ajo, në konferencën për media të dielën, nuk i ka përmendur fare dyshimet e ngritura pas raportimeve të KOHËS për abuzime milionëshe të trajtimeve në Turqi në kuadër të Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Publike.

Pacientët kosovarë ka disa vjet që nuk po pranohen të trajtohen falas nga spitalet e Turqisë. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në një tryezë me drejtorët e klinikave dhe të spitaleve, të mbajtur më 25 maj, ka thënë se ka kërkuar vazhdimin e trajtimit të pacientëve falas, por ministri turk ka thënë se kjo nuk do të ndodhë derisa të mos paguhen borxhet ndaj spitaleve private.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore para rreth 10 ditësh i ka thënë KOHËS se zbatimi i marrëveshjes është pezulluar për shkak të pandemisë nga viti 2020 dhe se ky pezullim vazhdon të mbetet në fuqi. Sipas marrëveshjes, deri në 100 pacientë mund të trajtohen falas brenda një viti kalendarik në spitalet e Turqisë.