“Nëse Ballkani Perëndimor ia del mbanë, atëherë Evropa ia del mbanë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka probleme edhe në Evropë, sepse në fakt është në interesin tonë të përbashkët që të ndihmojmë në procesin e pajtimit, rritjes ekonomike dhe të mirëkuptimit, dhe për mua kjo është përparësi”, ka theksuar Cameron pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Stabiliteti i Evropës është i lidhur ngushtë me paqen në Ballkanin Perëndimor, ka thënë sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, i cili të mërkurën ka qëndruar për vizitë në Tiranë.
Pas takimit që ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Cameron ka thënë se është në interesin e përgjithshëm të Evropës që të ndihmohet procesi i pajtimit në rajon.
“Nëse Ballkani Perëndimor ia del mbanë, atëherë Evropa ia del mbanë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka probleme edhe në Evropë, sepse në fakt është në interesin tonë të përbashkët që të ndihmojmë në procesin e pajtimit, rritjes ekonomike dhe të mirëkuptimit, dhe për mua kjo është përparësi”, ka theksuar Cameron.
Në takimin mes Cameronit dhe Ramës është trajtuar edhe çështja e Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ka shprehur në vazhdimësi interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Por, ai ka vlerësuar se ky proces aktualisht rrezikon që të shënojë hapa prapa.
“Lordi Cameron është një mbështetës i vendosur i këtyre proceseve dhe dihet botërisht që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë po ku në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi ndihet edhe rreziku i kthimit prapa”, ka theksuar Rama.
Ai ka shtuar se vizita e Cameronit në Tiranë do t’i shërbejë jo vetëm thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe shtimit të pranisë së Mbretërisë së Bashkuar në rajon.
“Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë dhe dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, për Kosovën, por edhe për rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë. Kjo hekurudhë është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajon dhe më gjerë, duke pasur parasysh që së shpejti ne hapim garën ndërkombëtare për Portin e Ri Tregtar të Durrësit. Jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durrësit dhe njëkohësisht, siç jeni të informuar, edhe Kosova do të ndërtojë një Port të Thatë në Prishtinë”, ka thënë ai, tek ka folur për projektin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Këtë projekt kryediplomati britanik e ka kualifikuar si një prej partneriteteve më të frytshme.
“Ajo që mund të them unë nga këndvështrimi britanik dhe flas këtu në emër të kryeministrit tonë Rishi Sunak, është që kjo ka qenë, është dhe do të jetë një nga partneritetet më të frytshme dhe më pozitive për ne. Eksportet, për shembull, janë rritur me 20 për qind. Ne kemi projekte shumë emocionuese, si për shembull hekurudha që ju shpjeguat, pra nga Prishtina në Durrës, që do të jetë shumë, shumë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për të gjithë rajonin”, ka thënë Cameron.
Projekti për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë është prezantuar në qershor të vitit 2022 gjatë mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, e cila është mbajtur në Prishtinë. Realizimi i tij do të mundësonte nisjen e projektit tjetër, që është ndërtimi i dy porteve të reja tregtare: Porto Romano në Durrës dhe Porti i Thatë në Prishtinë.
Cameron dhe Rama kanë diskutuar edhe për projektin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe rezultateve të arritura. Ata kanë theksuar se ky operacion do të vazhdojë dhe se gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale.
Mbretëria e Bashkuar ka ofruar 4 miliardë funte për projektet në Shqipëri, që do të realizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Financës, Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe bashkitë në të gjithë vendin.