Në ditën e dytë të dëshmisë para Dhomave të Specializuara, ish-shefi i Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën Operative të Pashtrikut, Halil Çadraku, ka thënë se UÇK-ja gjatë vitit 1999 nuk e ka pasur të mundur të merrej me bashkëpunëtorë të UDB-së. E për bashkëpunëtorët që vriteshin, ai ka theksuar se forcat serbe zbatonin hakmarrje të ashpra, duke vrarë nga 100 civilë shqiptarë
Ish-shefi i Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën Operative të Pashtrikut, Halil Çadraku, në ditën e dytë të dëshmisë në Dhomat e Specializuara, ka treguar se me pjesëtarët e shërbimit sekret serb – UDB – nuk ka pasur punë gjatë kohës së luftës.
Tek iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së Kadri Veselit, ai ka theksuar se nuk ka mundur të merrej me personat që ishin bashkëpunëtorë të Serbisë pasi, siç ka thënë, pjesëtarët e UÇK-së ndodheshin në fshatra ndërsa bashkëpunëtorët e UDB-së nëpër qytete.
Çadraku ka thënë po ashtu se për vrasjen bashkëpunëtorëve të Serbisë forcat serbe aplikonin hakmarrje të ashpër.
“Në këtë aspekt ndoshta kemi bërë, kemi marrë shënime që ta dimë më mirë kë ta lejojmë apo kë të mos e lejojmë të na rrezikojë, por kurrë ne të shkojmë në Prizren, Rahovec, Prishtinë apo diku që ne të ndërmarrim ndonjë aksion kundër atyre edhe pse njiheshin që ishin bashkëpunëtorë të UDB-së. Nuk kemi dashur ta rrezikonim popullatën civile, sepse ata për një vrasje të një bashkëpunëtori serb i vrisnin 100 civilë të tjerë”, ka thënë ai.
Dëshmitari është shprehur se nga Veseli nuk ka marrë urdhra direkte, porse ka treguar për një kërkesë që e mori nga Veseli, kur pati shkuar në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, më 1 prill të vitit 1999.
“Kemi biseduar për sigurinë, se unë nuk e dija personalisht kah është vija mbrojtëse e Shtabit të Përgjithshëm. Pastaj edhe ai ma ka propozuar që të shkojë t’i vizitojë, a janë të gjitha në rregull a janë të gjitha të linjëzuara siç duhet, kështu që atë detyrë e kam kryer nga mbrëmja në mëngjes”, ka deklaruar ai.
Në dëshminë e së hënës, dëshmitari e pati konfirmuar vërtetësinë e një letre drejtuar shoferit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi, në të cilën i ankohej për mënyrën shumë defansive të udhëheqjes së luftës nga ana e komandantit të Zonës në Pashtrik, Ekrem Rexha. E kur të martën u mor në pyetje nga avokati, Rodney Dixon, ai ka thënë se e respektonte zinxhirin komandues dhe se për të gjitha u drejtohej komandantit e zëvendëskomandantit të zonës.
“Gjithmonë unë i kam thënë edhe atij edhe Tahir Sinanit, atë që e kam menduar e kam thënë gjithmonë përmes shkrimin, kurrë nuk e kam fshehur mendimin tim për veprimet e këtilla që kam menduar që janë të gabuara e që kam menduar që unë kam më shumë të të drejtë. Çdo herë vërejtjet e mia kanë qenë të hapura dhe përmes tij kanë shkuar”, ka theksuar Çadraku.
Dëshmitari gjithashtu ka thënë se në mars të ‘99-s iu pat drejtuar Shtabit dhe zonës me një letër, ku e kërkonte themelimin e strukturave juridike, përfshirë prokurorinë, gjykatën dhe burgun e UÇK-së, porse në këtë kurrë nuk mori përgjigje. Mungesën e përgjigjes e justifikoi me përballjen e vazhdueshme të UÇK-së me forcat serbe.