Gazetari Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka insistuar se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki të njëmendtë. Ai po ashtu foli edhe për raportet UÇK-LDK. Sipas tij, krahu i luftës nuk e urrente këtë parti e as liderin e saj të asaj kohe, Ibrahim Rugova
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, gazetari Nuhi Bytyçi përsëriti atë që e tha edhe të martën, se UÇK-ja nuk kishte hierarki.
Të mërkurën ai u ballafaqua me disa video, ku dëshmitari ishte prezent kur i incizuan në kohë lufte.
“Edhe një herë zotohem se do t’i kryej të gjitha që vijnë prej Shtabit të Përgjithshëm, komandës së brigadës e më tutje”, dëgjohet zëri i Ajet Kastratit, pjesëtar i UÇK-së atëkohë.
Prokurori i Dhomave të Specializuara, Matthew Halling, e pyeti Bytyqin se a është ky fjalimi i Kastratit, për të cilin është diskutuar gjatë dëshmisë.
“Ajet Kastrati, i cili si çdo epror në ato rrethana, në analizën e vitit që linim pas (1998) fliste në mënyrë afirmative për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Thoshte se ka hierarki, por në të vërtetë hierarki nuk kishte. E as ai vetë s’e ka ditur se ka, por fliste para ushtarëve se ka, e kështu me radhë”, është përgjigjur dëshmitari Bytyqi.
Prokurori e pyeti edhe për dy video, një ku Fatmir Limaj uronte Vitin e Ri në emër të Shtabit të Përgjithshëm, dhe tjetra, ku i akuzuari Rexhep Selimi shihet duke folur për zbatimin e një urdhri të Shtabit të Përgjithshëm.
“Për çdo situatë Shtabi i Përgjithshëm nxjerr vendime konkrete. Edhe për natën e Vitit të Ri, Shtabi i Përgjithshëm dha një urdhër që të mos shtihet me armë zjarri. Ky urdhër po respektohet me përpikëri dhe nuk kemi shënuar asnjë rast të thyerjes së kësaj... Ushtarët e UÇK-së janë në pozicione, janë në detyra, po i zbatojnë me përpikëri të gjitha urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave të tjera në hierarki”, është video e dhjetorit të 1998-s, në të cilin Selimi flet për zbatimin e urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm.
Dëshmitari iu përgjigj edhe avokatëve mbrojtës, teksa tha se nuk hasi në urrejtje të pjesëtarëve të UÇK-së ndaj LDK-së e as udhëheqësit të saj të asaj kohe, Ibrahim Rugova.
Dëshmitari insistoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte hierarki funksionale dhe se as nuk kishte kapacitete politike për ta udhëhequr në mënyrë efektive Ushtrinë Çlirimtare.
Në këtë rast po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.