LAJMET E MBRËMJES

Byrnes thotë se Krasniqi iu prezantua si zëdhënës dhe se Veseli ishte jashtë Kosovës për një periudhë

Në seancën e së mërkurës, ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes konfirmoi deklarimet paraprake se i akuzuari Jakup Krasniqi i është prezantuar si zëdhënës i ushtrisë e jo si zëvendëskomandant, e po ashtu se Kadri Veseli për një periudhë të luftës nuk ishte në Kosovë

Dëshmitari Shaun Byrnes, që ka udhëhequr Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara (KDOM) gjatë luftës në Kosovë, ka përmbyllur dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të mërkurën, në njëvjetorin e nisjes së shqyrtimit gjyqësor në rastin më të madh të Speciales, ish-diplomati amerikan konfirmoi deklarimet paraprake se i akuzuari Jakup Krasniqi i është prezantuar si zëdhënës i ushtrisë e jo si zëvendëskomandant.
“A është e vërtetë që gjatë të gjitha bisedave që keni pasur me z. Krasniqi, ai asnjëherë nuk ju ka thënë se ka qenë zëvendëskomandant i shërbimeve mbështetëse”, pyeti avokati Aidan Ellis. Dëshmitari pohoi.

Përveç mbrojtjes së Krasniqit, pyetje i parashtroi edhe ajo e Veselit. Ajo po ashtu paraqiti një pasaportë të ish-kryetarit të Kuvendit me disa vula të hyrje-daljeve, e të cilat sipas avokatit Ben Emmerson dëshmojnë mospraninë e Veselit në Kosovë në periudhën 11 tetor 1998 - 13 janar 1999.

Emmerson ka thënë se Veseli në këtë kohë ka lëvizur nga Shqipëria për në Zvicër, Belgjikë e Slloveni dhe nuk ka mundur të jetë i përfshirë në ndalimin ose lirimin e dy punonjësve të agjencisë Tanjug (Nebojsha Radosheviq dhe Vladimir Dobriçiq), pastaj dy pjesëtarëve të LDK-së (Cen Desku dhe Jakup Kastrati), një polici serb (Goran Spiliq) dhe tetë pjesëtarëve të armatës jugosllave. 
“Dhe pastaj e dimë se lirimi ka ndodhur ndërkohë që ka qenë në Slloveni dhe i bie që z. Veseli nuk ka pasur asnjë pikë lidhjeje as me ndalimin, as me lirimin e këtyre personave për aq kohë sa nuk ka qenë fare aty”, pyeti Emmerson.

Dëshmitari Byrnes tha se kishte dëgjuar që Veseli ishte në Shqipëri. U shpreh po ashtu se ka gjasa që ai është dëgjuar me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së edhe në distancë.

“Ai mund të ketë qenë i përfshirë në diskutime në çështje të tilla përmes telefonit, përmes thirrjeve telefonike”, ka thënë Byrnes.  

Avokati e pyeti përsëri se a mund ta konfirmojë se ka pasur informata që është jashtë Kosovës. 
“Megjithatë ju e konfirmoni që z. Veseli nuk ka qenë në Kosovë dhe ky është një parashtrim i bazuar me themel apo jo”, është shprehur Emmerson.

Dëshmitari pohoi.

Byrnes gjatë dëshmisë së tij tha se ka dëgjuar që Veseli ishte ai që merrej me inteligjencë, mirëpo shtoi se nuk ka dijeni lidhur me ekzistimin e ndonjë informate për funksionimin e inteligjencës së UÇK-së në nivel kombëtar.

Në këtë seancë ka dëshmuar për të dytën ditë edhe dëshmitari me kodin “04739”, që është i 54-ti me radhë. Dëshmia e tij u dha në seancë tërësisht të mbyllur.

Në bazë të një propozimi të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, ky dëshmitar ka njohuri për strukturën, njësitë, shtrirjen gjeografike, vijat e raportimit përfshirë vijat e raportimit në Shtab të Përgjithshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar parasheh që dëshmitarët e saj në këtë rast të dëgjohen deri në prill të vitit 2025 e gjykata ka deklaruar vazhdimisht se ky afat do të respektohet.

Pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, u arrestuan më 4 e 5 nëntor 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e prokurorisë. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civët.