Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës kanë pamundësuar përfundimin e intervistimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, në Komisionin hetimor për krizën energjetike. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka quajtur deputeten e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, kampione të spekulimeve. Pas kësaj deputetët e pushtetit kanë lëshuar sallën dhe në mungesë të kuorumit mbledhja është ndërprerë. Murati gjatë raportimit ka arsyetuar mosshpërndarjen e 90 milionë eurove për subvencionim të rrymës, ndërsa opozita e akuzoi atë për mosgatishmëri për të dhënë llogari për punën e tij
Ka mbetur në gjysmë të premten dëshmia e ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, në Komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike. Pas përplasjeve me opozitën, deputetët e pushtetit e kanë braktisur sallën duke e lënë pa kuorum mbledhjen, në të cilën Murati po merrej në pyetje.
Opozita ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), se me qëllim po e sabotojnë punën e Komisionit hetimor, i cili është formuar me kërkesë të saj.
Deputetët e partisë kryesore në pushtet e kanë lëshuar sallën, pasi deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Ferat Shala, e quajti spekulante shefen e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Ky reagim i Shalës erdhi pasi, Kusari-Lila i tha atij se po bën pyetje spekulative.
“Unë me thënë të drejtën e kam shumë të vështirë me u barazu me spekulime dhe me gjithçka tjetër të zonjës Kusari, prandaj pajtohem se për spekulim kjo është kampion. Kampion je, ju jeni spekulantja më e madhe e këtij legjislativi”, është shprehur Shala.
Ky etiketim ishte i papranueshëm për deputeten Kusari-Lila.
“Nëse fillojmë me etiketime dhe kategorizime ne e lëshojmë komisionin hetimor dhe nuk marrim pjesë. Zotëri Shala jeni koleg deputet dhe të quajturit me emra dhe etiketime është e tepruar. Unë thashë pyetje spekulative, s’ju thashë juve spekulant. Unë s’bëj pyetje spekulative, ju bëni. Rri uluni aty. Zotëri Shala ndaleni këtë mënyrë patronizuese, s’jeni as profesor i imi dhe as nuk jeni në një pozitë kur mundesh me i thënë një deputeti ‘uluni aty’ apo ‘ngrihuni’”, ka theksuar ajo, duke shtuar se ofendimin nuk ia ka borxh askujt.
Pas kësaj deputetët e pushtetit e kanë lëshuar mbledhjen dhe në këtë formë Komisioni ka mbetur pa kuorum, e mbledhja dhe raportimi i Muratit janë ndërprerë.
Pas kësaj në një deklarim për media deputetët e PDK-së e akuzuan Muratin për mosgatishmëri për të dhënë llogari për punën e tij.
Deputeti Shala ka thënë se ka orvatje nga pushteti për t’i ikur përgjegjësisë.
“Kjo është orvatje për t’i ikur përgjegjësisë. Të gjitha të tjerat nuk mund të arsyetohen nga ndërhyrjet e kolegëve derisa ne po bashkëbisedonim në mënyrë normale me ministrin. Nuk ka përgjigje për paranë, metodologjinë e shpërndarjes, s’ka përgjigje për raportin konsultativ, s’ka përgjigje për ndërhyrjet politike që kanë bërë në ZRRE”, ka deklaruar Shala.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kishte mungesë gatishmërie nga ana e Muratit për të dhënë llogari për punën e tij.
“Ministri i Financave nuk ishte në gjendje me u përgjigj në pyetjet e tilla. Ne kërkonim për shpenzimet e mjeteve dhe borxheve që ka Kosova karshi importuesve të energjisë, e ai na fliste për metodologjinë dhe mënyrën si do të bëhen. Ne po shohim se nuk ka një gatishmëri që ministri të japë llogari për punën e tij”, është shprehur Tahiri.
Në kohën sa po intervistohej, ministri ka treguar se përse Qeveria ende nuk ka ndarë 90 milionë eurot e zotuara për subvencionim të energjisë, duke thënë se ato janë të parapara për një vit tarifor.
“Ky zotim i qeverisë qëndron dhe qeveria nuk i mbetet borxh askujt, pasi shteti vazhdon të qëndrojë. Zotimi ka qenë 90 milionë dhe zotimi qëndron për vitin tarifor. Ndarjet e këto janë çështje teknike dhe e metodologjisë së përcaktuar ndërmjet akterëve që pajtohen për të zbatuar një metodologji. A bëhet me këste, muaj për muaj apo si, kjo është çështje teknike pastaj”, është shprehur Murati.
Ai gjithashtu ka theksuar se ndarja e 20 milionë eurove për subvencionim të rrymës, në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka qenë e domosdoshme dhe e ligjshme.
“Në kuadër të funksioneve që kemi duhet të marrim veprimet e nevojshme që të siguroheshim që në atë kohë, sidomos në muajin dhjetor, kur kishte një situatë të rënduar në nivel global, sidomos në kontinentin evropian, kishte një krizë energjetike. Çmimet ishin tepër të larta dhe anën tjetër kishim edhe një rënie të një blloku të termocentralit “Kosova B”. Pra, ishte e nevojshme të mbështetej importi që të sigurohej furnizimi i rregullt me energji elektrike”, ka theksuar Murati, duke shtuar se ai ishte një vendim i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohej edhe mbarëvajtja e ekonomisë së vendit dhe jetës së përditshme të qytetarëve.
Intervistimi i Muratit do të vazhdojë në një mbledhje tjetër, e cila do të caktohet në koordinim mes tij dhe Komisionit.