LAJMET E MBRËMJES

Borrelli rekomandon heqjen e masave ndaj Kosovës si sinjal politik për avancimin e dialogut

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka rekomanduar heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës vitin e shkuar. KOHA ka mësuar se në raportin që ua ka përcjellë vendeve anëtare të bllokut, Borrelli ka përshkruar situatën në veri dhe se i ka kërkuar Këshillit që të marrë vendim në drejtim të heqjes së masave si sinjal politik për avancimin e dialogut Kosovë-Serbi

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar sot në Komitetin Politik dhe të Sigurisë për heqjen e masave ndaj Kosovës në bazë të raportit që vendeve anëtare ua kishte dërguar dje përfaqësuesi i lartë Josep Borrell.

KOHA mëson se Borrelli në raportin e tij ka përshkruar situatën në veri dhe hapat që ka ndërmarrë Kosova duke i krahasuar me detyrimet specifike që BE-ja ia kishte caktuar Kosovës në vitin 2023 dhe në fund ka rekomanduar që Këshilli të marrë qëndrim për heqjen e masave.

Duke i konsideruar hapat e Kosovës në drejtim të përmbushjes së kërkesave të BE-së, të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023, përfaqësuesi i lartë rekomandon që Këshilli të marrë qëndrimin për heqjen e masave ndaj Kosovës, duke respektuar në të njëjtën kohë prerogativat institucionale, thuhet në raportin e zotit Borrell.

Vendimi i Këshillit do të ishte një sinjal politik që kontribuon në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Beograd-Prishtinë, i lehtësuar nga BE-ja, mund të avancojë. Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë shtensionuese dhe për të evituar veprimet e pakoordinuara, thuhet në raportin e Borrellit.

Rreth heqjes së masave ndaj Kosovës ka pasur qëndrime të ndryshme në qarqet e Bashkimit Evropian si dhe nga vendet anëtare të BE-së. Përderisa ato ishin vendosur me një shpejtësi të madhe vitin e shkuar, brenda vetëm disa ditësh, tash kanë kaluar disa muaj prej kur është përmendur mundësia e heqjes së tyre, por kjo është vonuar. Është vonuar edhe raporti i zotit Borrell, i cili megjithatë tash është para vendeve anëtare.

Pritet që në të ardhmen, vendet anëtare të BE-së të diskutojnë edhe në nivele të tjera lidhur me mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës.