Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë diskutuar sot për situatën në veri të Kosovës. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se shtetet anëtare janë të gatshme që të marrin masa politike dhe financiare ndaj Kosovës e Serbisë nëse nuk shtensionohet shpejt situata në veri. Ai ka insistuar për organizim të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore me kushtin që të marrin pjesë edhe serbët
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka paralajmëruar se shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme të marrin masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk shihet progres për shtensionim të situatës në veri.
Pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, të hënën, ku u diskutua edhe situata në Kosovë, Borell ka thënë se në takimin e fundit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuqiç, dhe me kryeministrin Albin Kurti, ka prezantuar një udhërrëfyes se si të dilet nga kriza, por që nuk pati rezultat të menjëhershëm, sipas tij.
Takimi u mbajt pasi Serbia liroi tre policët kosovarë të kidnapuar.
“Mirëpresim lirimin e tre policëve të Kosovës që janë mbajtur në Beograd. Shtetet anëtare do të marrin masa nëse duhet për ta rritur levën e BE-së e për ta përkrahur dialogun për normalizim”, ka theksuar ai.
Borrell ka insistuar se duhet të mbahen zgjedhje të reja në katër komunat veriore, me kusht që të marrin pjesë serbët e Kosovës në to.
“Jemi pajtuar se nuk mund të kemi kryetarë në zyre të mbrojtur përgjithmonë nga forcat e NATO-s, kryetar me tre për qind të votave. Nuk është një zgjedhje e qëndrueshme. Duhet të zëvendësohen ata nëpërmjet zgjedhjeve, zgjedhje të reja. Për këtë janë pajtuar të dyja palët, por duhet pjesëmarrja e serbëve, përndryshe do të kemi situatë të njëjtë”, ka deklaruar Borrell.
I pyetur se çfarë masash mund të merren ndaj palëve nëse nuk shtensionohet situata, ai ka thënë se ato do të jenë politike dhe financiare.
“Mund të konsiderojmë masat politike për të limituar kontaktet politike e masat financiare po ashtu. Duhet të jenë masa, u thashë shteteve anëtare, që masat duhet të jenë proporcionale dhe të kthyeshme”, ka theksuar Borrell
Në takimin e sotëm nuk ka pasur konkluzione apo vendime formale, përveç diskutimeve të masave që mund të marrë blloku evropian për t’i bindur të dyja shtetet që të marrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve.