Shefi i Politikës së Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka porositur Kosovën dhe Serbinë se anëtarësimi në bllok dhe progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve duhet të shkojnë dorë për dore. Në raportet e progresit për Kosovën e Serbinë, dy vendeve u është kërkuar zbatim i menjëhershëm i marrëveshjeve të deritashme
Anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) nuk mund të bëhet pa progres në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ka thënë të mërkurën shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, duke folur për raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë t’i bashkohen bllokut.
Ai ka theksuar se të dy këto procese duhet të shkojnë paralelisht.
“Arritëm marrëveshjen bazë në Bruksel dhe aneksin në Ohër. Fatkeqësisht, zbatimi është në pritje. Dhe për të dyja, progresi për anëtarësim në BE dhe ai në dialog duhet të shkojnë dorë për dore. Jo njërën po, njërën jo. Kjo ka nevojë për përpjekje dhe punë të palodhshme dhe shpresoj që kjo marrëveshje, që nuk ishte e lehtë për t’u arritur, të zbatohet dhe të ecet përpara drejt normalizimit dhe anëtarësimit në BE”, ka thënë Borrell.
Marrëveshja Bazë e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk është nënshkruar nga liderët e të dyja vendeve, shkaku i refuzimit për ta bërë këtë nga Beogradi zyrtar. Por, Borrell që e ka lehtësuar marrëveshjen, ka lëshuar një deklaratë, sipas së cilës dokumenti është i obligueshëm për palët dhe se me zbatimin e tij kushtëzohet edhe procesi i anëtarësimit në BE.
Borrell ka folur të mërkurën edhe për punën e bërë në dialog.
“Më besoni shumë punë. Kemi zgjidhur çështjen e targave me marrëveshje reciproke, kemi pasur sukses në politikën për pranim të dokumenteve më në fund, duke ua mundësuar qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë të lëvizin pa pengesa nga njëra anë e kufirit në tjetrën. Është arritje e rëndësishme, nuk ishte e lehtë. I dhamë fund pas 20 vjetëve shpenzimit të parregullt të energjisë elektrike në veri. Dhe arritëm marrëveshjen bazë në Brukel dhe aneksin në Ohër”, ka theksuar ai.
“Fatkeqësisht, zbatimi është në pritje”.
Ndër të tjera, Borrelli foli edhe për faktin se zgjerimi do të jetë në krye të agjendës së Komisionit Evropian, duke e cilësuar KE-në si magnet.
“Janë nëntë kandidate dhe një potencial – dyfish më shumë sesa ishin në vitin 2019. Tregon se Komisioni Evropian vepron si magnet, atraktiv për njerëzit dhe shtetet. Integrimi gradual ka avancuar dhe qytetarët e shteteve që duan të anëtarësohen kanë përfituar tashmë. Nuk kanë nevojë të presin deri në fund dhe pastaj t’i kenë të gjitha. Është proces. Dhe gjatë procesit, përfitimet janë të prekshme dhe qytetarët i marrin ditë për ditë – kjo përfshin udhëtimin pa viza të Ballkanit Perëndimor nëpër shtetet e BE-së dhe kemi prezantuar Planin e Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Moldavinë e Ukrainën, ku sundimi i ligjit është në qendër”, ka theksuan Borrell.
E Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatim të menjëhershëm të marrëveshjeve për rrugën drejt normalizimit.
“Kosova është zotuar se do t’i zbatojë plotësisht të gjitha detyrimet e saj përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve me Serbinë dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe nga të gjitha marrëveshjet e kaluara”, thuhet në raportin për Kosovën.
Në raport, sulmi i Banjskës është cilësuar si përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit.