Moti i lig me reshje të dendura të borës, ka përfshirë gjithë Kosovën. Ndonëse janë krijuar vështirësi në trafik, në Ministrinë e Infrastrukturës thanë se nuk ka ndonjë rrugë të bllokuar. Ndryshe ka ndodhur në disa vende të Ballkanit, e në të cilat ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike
Reshjet e borës që filluan të hënën mbrëma, kanë krijuar vështirësi në shumë akse rrugore, e kryesisht në vise malore.
Edhe në kryeqytet janë krijuar kolona të gjata tërë ditës së martë, por në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës thuhet se nuk ka ndonjë rrugë të pakalueshme.
Sipas kësaj ministrie, ekipet e mirëmbajtjes dhe operatorët ekonomikë të kontraktuar kanë kryer ndërhyrje të rregullta për mirëmbajtjen e sipërfaqes rrugore, shenjave të trafikut dhe infrastrukturës ndihmëse.
“Përmes inspektimeve të vazhdueshme dhe intervenimeve të menjëhershme, kemi arritur të shmangim çdo problem të madh që mund të ndikojë në lëvizjen e lirë dhe të sigurt të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.
Gjatë ditës së martë, Policia bëri thirrje për kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve në rrugë, shkaku i borës dhe ngricave.
“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në thirrjen e Policisë.
E, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se mot i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme bore do të mbizotërojë deri ditën e mërkurë, ndërsa nga e enjtja do të ketë mot të vranët, por pa reshje.
“Të mërkurën, moti do të jetë i vranët, me fjolla bore vende-vende. Në mëngjes paraqiten kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3 deri -1°C, ndërsa maksimalet do të jenë 0 deri 1°C. Të enjten, moti parashikohet i vranët dhe pa reshje. Në mëngjes, në shumë zona do të ketë kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -3 deri -1°C, ndërsa maksimalet 0 deri 1°C. Të premten, moti do të jetë kryesisht i vranët, me temperatura minimale ndërmjet -3 deri -1°C dhe maksimale nga 0 deri 1°C”, thuhet në njoftimin e IHK-së.
Moti i lig paraprakisht ka përfshirë shumë vende të rajonit.
Dhjetëra mijëra shtëpi në Bosnjë kanë mbetur pa energji elektrike pas borës së madhe dhe erërave që sollën gjithashtu kaos trafiku në Kroaci dhe në Serbi. Në gjithë Ballkanin autoritetet lëshuan paralajmërime udhëtimi, pasi si pasojë e reshjeve të borës, u mbyllën disa rrugë kryesore, duke përfshirë pjesë të autostradave në Kroaci. Bosnja, Serbia dhe Kroacia ndaluan lëvizjen e automjeteve të rënda dhe vendosën nivele të kufizuara trafiku.