LAJMET E MBRËMJES

Bislimi s’ua tregon deputetëve detajet e ndryshimeve në propozimin evropian për dialogun

Ndryshimet e bëra në propozimin franko-gjerman për dialogun nuk janë prezantuar as në Kuvend.

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për punë të jashtme, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, është përballur me pyetjet mbi ndryshimet e bëra në Kuvend. Por, ka refuzuar t’u japë informacione deputetëve.

“Çka përmban plan dhe cilat janë planet rreth planit franko-gjerman? Sot presidenti Macron pritet të ketë me Osmanin dhe në këtë takim pritet të flitet për dialogun në këtë takim trepalësh. Pse ju nuk jeni pjesë e këtij takimi dhe a jeni në dijeni për temat që do të trajtohen në këtë takim”, tha Ariana Shoshi-Musliu deputete e PDK-së.

“Pse jeni dakorduar që të shkohet me idenë e mbylljes cilat janë arsyet që plani franko-gjerman të jetë proces i mbyllur për publikun duke e pas parasysh anën komplekse të propozimeve, gjatësinë e dialogut të shterur dhe së fundmi mungesën e konsensusit të brendshëm politik”, tha Haki Abazi nga radhët e Vetëvendosjes.

“Ka dakordim të mos diskutohen elementet përbërëse të planit. Kur të më thirrni për të raportuar është mirë ta kuptoni se jemi duke folur jo për tymtarin e KEK-ut, por për dialogun”, tha Bislimi.

Bislimi është pyetur edhe për implementimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe deputetë opozitarë ia kanë shprehur gatishmërinë për ndihmë.

“Nuk kuptova se çfarë keni arritur në këto bisedime. Unë e kuptoj që s’mundemi për të arritur atë që dëshironi dhe nuk jam prej atyre që duhet të dështojmë në detyrën që e keni. Është mirë të sqarohet çka mundeni të ndihmoni. Unë e kam një përvojë me të kaluarën”, tha Xhavit Haliti deputet i PDK-së.

“Gjatë implementimit të udhërrëfyesit nuk kemi pasur konstruktivitet të palës serbe edhe pse kanë kaluar 150 ditë, pala kosovare i ka kryer pjesët e saj, edhe pse te pjesët ku është pala serbe ka ngecje”, tha Bislimi.

Për gati një orë, Bislimi refuzoi të jepte detaje lidhur me dialogun dhe planin e përditësuar franko-gjerman. Pas kësaj, Komisioni parlamentar për politikë të jashtme punimet i zhvilloi me dyer të mbyllura.