“Në agjendë ka qenë si pikë (diskutimi për draftin e Asociacionit v.j.). I kemi treguar Lajçakut se kemi pozicion të qartë, siç e ka thënë kryeministri më 26 tetor. Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruajmë së bashku me dy dokumentet e tjera”, ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi. “Nuk mund të nisë puna pa nënshkrim, pasi duhet garanci që kemi marrëveshje valide, e cila pastaj krijon obligime edhe për palën tjetër”
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë të enjten se në takimin me të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk është diskutuar për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi, siç ka thënë ai, pozicioni i Kosovës është bërë i qartë që më 26 tetor nga kryeministri Albin Kurti, në takim me liderët evropianë.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan veç e veç me Lajçakun gjatë ditës në Bruksel, por nuk pati një takim të përbashkët mes tyre.
Në një prononcim pas përfundimit të takimit, Bislimi ka thënë se pa u nënshkruar të tri marrëveshjet nuk do të fillojë puna për formimin e Asociacionit.
“Në agjendë ka qenë si pikë (diskutimi për draftin e Asociacionit v.j.). I kemi treguar Lajçakut se kemi pozicion të qartë siç e ka thënë kryeministri më 26 tetor. Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruajmë së bashku me dy dokumentet e tjera. S’kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga ana e BE-së, prandaj edhe s’kemi diskutuar”, ka thënë Bislimi. “Drafti që i është sjellë Kosovës ka pasur kujdes të shtuar për Kushtetutën e Kosovës. Por a është në harmoni të plotë, do ta vendosë Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të nisë puna pa nënshkrim, pasi duhet garanci që kemi marrëveshje valide e cila pastaj krijon obligime edhe për palën tjetër”.
Edhe kryeministri Kurti ka theksuar se është i gatshëm ta pranojë draftin e statutit të Asociacionit ashtu siç është propozuar, por vetëm nëse ai nënshkruhet në pako me dy dokumente të tjera për të cilat është dakorduar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq – Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit.
E, zëvendëskryeministri Bislimi ka vlerësuar se pika më e rëndësishme e takimit të së enjtes ka qenë diskutimi për finalizimin e draftit të sekuencimit të Marrëveshjes Bazë të 17 shkurtit dhe aneksit të 18 marsit.
“Drafti i ri e fut për herë të parë paralelizmin e plotë në zbatimin e marrëveshjes apo zbatimit më të balancuar, dhe ne jemi përpjekur që në këtë draft t’i japim komentet finale në mënyrë që të jetë i pranueshëm për palën tonë. Mendoj se ka pasur një gatishmëri nga Lajçaku që t’i akomodojë propozimet tona, sepse janë argumentuar mirë në detaje. Do t’i dërgojmë sot komentet në formë të shkruar dhe të inkorporuar në draftin e tij, për të ecur tutje”, ka thënë ai.
Kryenegociatori i Kosovës tutje ka treguar se në takim është diskutuar edhe çështja e të pagjeturve, ku, sipas tij, pasi u pranua një ndryshim nga pala kosovare, dokumenti është konsideruar si i adoptuar.
Bislimi ka thënë se Lajçaku mendon se janë shumë afër nënshkrimin të marrëveshjes për energjinë. E ka dhënë javën e ardhshme si afat të fundit.
“Lajçaku mendon se jemi shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes dhe ka sjellë vetëm dy-tri propozime/ndryshime të vogla në kontratën për nënkontraktim mes KEDS-it dhe ‘Elektroseverit’. Ne do të japim komentet tona. Java e ardhshme do të jetë e fundit kur duhet të nënshkruhet kontrata dhe të fillojë zbatimi”, ka theksuar Bislimi.
Lajçaku, siç ka thënë Bislimi, e ka përgëzuar Kosovën për suksesin e konvertimit të targave të automjeteve të serbëve në veri, në ato RKS. Për këtë çështje, ai thotë se janë diskutuar vetëm dy-tre hapa shtesë që mund të bëhen për serbët pasi t’i konvertojnë targat – marrja e patentë shoferëve e hapja e nga një autoshkolle në katër qytetet në veri.
Ka folur edhe për aspekte të tjera për veriun, për të cilat është diskutuar në takim.
“U diskutua për hapat e radhës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kishte shqetësim të vogël për përmbajtjen e formularit që do të përdoret për mbledhjen e nënshkrimeve (nëpërmjet të cilave do të kërkohet shkarkimi i kryetarëve aktualë v.j.). Mund ta akomodojmë kërkesën e BE-së, e cila ishte për të mos vendosur numrin e telefonit në formular”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, nuk është diskutuar për takime të radhës, por ka shtuar se Lajçaku do një takim të veçantë ku do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka pranuar se zgjedhjet në Serbi, të planifikuara për në dhjetor, e kanë dëmtuar procesin e dialogut dhe kjo sipas tij është bërë me obstruksion.
“Kjo krijon edhe paqartësi se si të ecim tutje”, ka thënë Bislimi.
E, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi edhe në territorin e Kosovës, të cilat janë caktuar për datën 17 dhjetor.
Sipas tij, në takimin e së enjtes në Bruksel kanë biseduar për drafstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për energjinë dhe, po ashtu, për temën e të pagjeturve.
Petkoviq ka thënë se formimi i Asociacionit është “hapi i parë konkret që populli serb në Kosovë e ka pritur për më shumë se 10 vjet”, si dhe ka theksuar se diskutimet do të vazhdojnë.
Petkoviq u ka thënë gazetarëve se u është mirënjohës ekspertëve që ishin në delegacionin e Beogradit.
“Ata folën qartë për të gjitha aspektet e draftstatutit, veçanërisht për pjesën që i referohet pushtetit ekzekutiv. Në radhë të parë planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik dhe që të financohet nga Beogradi”, ka thënë Petkoviq.
Ai ka bërë të ditur se në rend dite ka qenë edhe çështja e energjisë dhe, po ashtu, e të pagjeturve, dhe shprehu pritjen për përparim.
“Bisedimet janë bërë me ekipin e Miroslav Lajçakut, por edhe me ekspertët e BE-së për këto tema. Pritet që t’i vazhdojmë bisedimet në periudhën në vijim. Statuti është shumë i rëndësishëm, sepse përfaqëson shtyllën kurrizore të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe gjithçka duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pas më shumë se pesë orësh bisedime që patëm sot në Bruksel, kthehemi me bindjen se përmes dialogut dhe zgjidhjeve të kompromisit mund të arrijmë përparim të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Petkoviq. “Serbia është palë e përkushtuar në dialog”.
Takimit i kanë paraprirë vizitat që në Kosovë dhe në Serbi i ka bërë ndërmjetësi Lajçak, gjatë të cilave ka takuar përfaqësues institucionalë e përfaqësues të partive politike në opozitë.