LAJMET E MBRËMJES

Bislimi: Kosova u pajtua me propozimin e BE-së për dinarin, Serbia kërkoi kohë shtesë

“Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira. Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerrë një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, ka thënë Bislimi pas takimit

Kosova e Serbia nuk kanë arritur pajtim lidhur me dinarin serb as në takimin e tretë për këtë çështje të mbajtur të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE). 

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, në nivel të të cilëve janë zhvilluar takimet e së enjtes, kanë konfirmuar mungesën e pajtimit ndërsa kanë akuzuar njëri-tjetrin për mungesë vullneti në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen. 

Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës, ka thënë se Kosova është pajtuar me propozimin e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, sa i përket çështjes së dinarit teksa Serbia ka kërkuar kohë shtesë. 

“Ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Javën e kaluar i është bërë e qartë palës serbe se takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse vijnë me ide për kompromis.

Fatkeqësisht, edhe sot kemi pasur dallime të mëdha”, ka thënë Bislimi, tek ka folur për gazetarë pas takimit me homologun e tij serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e emisarit Lajçak. 

Ai e ka akuzuar palën serbe se “nuk ishte e shqetësuar për qytetarët” dhe se shqetësimi kryesor i saj ishte se si autoritetet e Kosovës ta licencojnë bankën e Serbisë.

“Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira. Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerrë një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, ka thënë ai.

E kryenegociatori i Serbisë Petkoviq e ka akuzuar delegacionin nga Kosova se nuk ka treguar “vullnet të mjaftueshëm” për marrëveshje dhe se pret edhe një takim tjetër lidhur me çështjen e dinarit.

“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe e nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, ka thënë ai pas takimit.

Si Bislimi, ashtu edhe Petkoviq kanë bërë të ditur se një takim i katërt rreth çështjes së dinarit do të zhvillohet në Bruksel pas rreth dy javësh. 

“Duhet të takohemi pas dy javësh, atyre (palës serbe) iu bë e qartë se ky do të jetë takimi i fundit, prandaj ata duhet të reflektojnë, ose do të fajësohen zyrtarisht për bllokimin e zgjidhjes”, ka thënë Bislimi.

E Petkoviq ka përsëritur se çështja e dinarit do të ishte e zgjidhur sikur të ekzistonte Asociacioni i komunave me shumicë serbe, teksa e ka akuzuar Kosovën se nuk ka vepruar në drejtim të themelimit të saj që prej 4.000 ditësh.

Takimet në nivel kryenegociatorësh në Bruksel janë zhvilluar pasi rregullorja e re e Bankës Qendrore (BQK), e cila e përcakton euron si të vetmen valutë për pagesa në Kosovë, ka nxitur reagimin nga Serbia dhe nga faktori ndërkombëtar rreth implikimeve që mund t’i ketë për serbët e Kosovës që pranojnë pagesa në dinarë nga Beogradi. Pas përfundimit të takimeve të së enjtes, emisari Lajçak ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në platformën X se janë përafruar dallimet midis palëve dhe se diskutimet do të vazhdojnë së shpejti mbi idetë e BE-së për kompromis. 

“Prita një tjetër diskutim me dy kryenegociatorët për zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së. I kemi afruar dallimet midis propozimeve të dy palëve. Kam në plan të vazhdoj diskutimet tona së shpejti, bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, ka shkruar Lajçak në X.

Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun Kosovë-Serbi, shpresonte se do të tejkaloheshin dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihej një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdonin t’i pranonin beneficionet në dinarë nga shteti serb. Kjo çështje, krahas që e zemëroi Serbinë, ka nxitur mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë prej vitesh merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë. Diplomatë perëndimorë i kanë kërkuar Kosovës që ta pezullojë zbatimin e rregullores për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re. 

Takimi i së enjtes në Bruksel ka qenë i treti gjatë javëve të fundit mes Bislimit e Petkoviqit, teksa i katërti në përgjithësi për çështjen e dinarit. Në takimet e deritanishme, sipas BE-së, palët kanë paraqitur propozimet e tyre për gjetjen e një zgjidhjeje praktike dhe afatshkurtër për qytetarët serbë në Kosovë që paguhen me dinarë nga Serbia. Qeveria e Kosovës këmbëngul se vendimi i BQK-së nuk është politik, por i një institucioni të pavarur. Megjithëkëtë, ajo është shprehur e gatshme për një zgjidhje praktike që do t’u ndihmonte qytetarëve, por pa e vënë në dyshim vendimin e BQK-së.

Borrell: BE-ja e shqetësuar me pasojat për serbët e Kosovës nga ndalimi i dinarit

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se Brukseli zyrtar është i shqetësuar për mungesën e konsultimeve para vendimit të Bankës Qendrore (BQK) për ndalimin e dinarit dhe për pasojat që ai ka në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, është thënë në përgjigjen me shkrim të Borrellit të publikuar në faqen e Parlamentit Evropian. Në pyetjet e deputetit francez, Dominik Bild, se çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian (KE) lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vendimit të BQK-së dhe në lidhje me sistemin arsimor dhe shëndetësor për serbët e Kosovës, Borrelli ka thënë se këto çështje është dashur që të negociohen bashkë me Asociacionin.

“Çështja e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, siç janë statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

Borrell ka përsëritur se themelimi i Asociacionit është obligim i Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe se buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila është arritur nga Serbia e Kosova në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe më pas është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Në përgjigjen me shkrim thuhet se BE-ja ka përgatitur draftin evropian të statutit të Asociacionit, në konsultim me ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, duke respektuar marrëveshjet përkatëse nga dialogu, si dhe kornizën ligjore të Kosovës dhe “vijat e kuqe të palëve në masën e mundshme”.

“Më 26 tetor, Prishtina ka njoftuar BE-në se do ta pranojë propozimin, me kusht që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Aneksi dhe vetë draftstatuti i Asociacionit të nënshkruhet zyrtarisht nga Kurti dhe Vuçiqi”, ka deklaruar Borrell. Ai ka shtuar se Beogradi zyrtar ka përjashtuar çdo formë nënshkrimi dhe se që atëherë përfaqësuesit e Kosovës nuk janë përfshirë në bisedime për Asociacionin.