LAJMET E MBRËMJES

Bislimi kërkon reagimin e BE-së pas vendimeve të Serbisë për Kosovën

Zyrtarë në Prishtinë kanë reaguar pas vendimeve të Qeverisë së Serbisë në raport me Kosovën. Ekzekutivi serb një ditë më parë shpalli zyrtarisht Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” dhe miratoi projektligjin, përmes të cilit autorizon prokuroritë e gjykatat në Serbi që të merren me ndjekjen penale të atyre, që sipas Serbisë, persekutojnë serbët në Kosovë. Karshi veprimeve të Serbisë reagim nga Bashkimi Evropian ka kërkuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi

Vendimet e fundit që Serbia i ka marrë në raport me Kosovën, përbëjnë shkelje të marrëveshjeve të arritura dhe do ta pengojnë procesin e dialogut, kanë thënë të martën zyrtarë të Qeverisë. 

Të hënën, Qeveria serbe ka shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Mes tjerash, ekzekutivi serb ka miratuar projektligjin për organizimin e juridiksionit gjyqësor për zonën e Kosovës, e në të cilën parashihet që një prokurori e trup gjykues i veçantë të ndjekin penalisht ata që, sipas Serbisë, persekutojnë popullatën serbe në Kosovë.

Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, krahas tjerash, përmes veprimeve të tilla, Serbia është duke vazhduar bllokimin e rrugës përpara në procesin e normalizimit.

“Përmes lëvizjeve në terren të vetë Serbisë, duke përfshirë nxitjen e përshkallëzimeve në 3 vitet e fundit, sulmin në Banjskë, sulmet kundër institucioneve tona, inkursionin në territorin tonë dhe rrëmbimin e policëve, barrikadat në veri, fluturimin e MIG-ave pranë kufirit tonë, vendosjen e ushtrisë në gatishmëri të lartë dhe tash edhe me projektligjin për përndjekje të paraqitur dje, konstruktiviteti i tyre i rremë vazhdon të ekspozohet”, ka shkruar në Facebook zëvendëskryeministri Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Për veprimet e Serbisë, Bislimi ka kërkuar reagimin e Bashkimit Evropian.

“Cili është perceptimi i BE-së për fytyrën e vërtetë të Serbisë? A është ajo që në mënyrë të pabesueshme përpiqet të shfaqet si ‘konstruktiv’, duke deklaruar përkushtimin ndaj procesit, apo ajo që miraton ligje të tilla dhe shkel vazhdimisht marrëveshjet dhe cenon integritetin territorial dhe sovranitetin tonë? BE-ja si ndërmjetës duhet të përgjigjet dhe të reagojë në mënyrë të vendosur”, ka shkruar ai.

Miratimi i këtij projektligji është paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në shtator të këtij viti. 

Këtë paralajmërim ai e pati bërë në një adresim për medie, e në të cilin pati prezantuar disa kërkesa, në mesin e të cilave edhe atë për shpalljen e zgjedhjeve në veri e kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.