LAJMET E MBRËMJES

Bislimi akuzon Serbinë për synim të krijimit të tensioneve artificiale

Policia dhe Dogana nuk kanë lejuar të mërkurën futjen në Kosovë të një furgoni që po bartte dinarë të Serbisë. Sipas Doganës, palës serbe i është sqaruar se pa vendim të Bankës Qendrore të Kosovës nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare. Zv.kyreministri Besnik Bislimi e ka akuzuar Serbinë se po tenton të krijojë tensione artificiale.

Një furgon që po barte rreth 117 milionë dinarë nga Serbia ka tentuar që të futet në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinjë, por është ndaluar nga Policia dhe Dogana.

Autoritetet kosovare kanë sqaruar se qarkullimi i monedhave të tjera nuk lejohet pa autorizimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Serbia tentoi të krijonte tension artificial nëpërmjet dërgimit të dinarëve në pikën kufitare.

Ai ka shkruar se Kosova shpreh vullnetin të punojë dhe të ndihmojë në gjetjen e mekanizmit që mjetet e tilla të dërgohen në mënyrë ligjore tek përfituesit fundorë.

“Nuk ka dyshim se kjo dërgesë e tillë, pa asnjë koordinim, paraqet njё hap unilateral tё Serbisё, me qёllim tё shkeljes flagrante tё funksionalitetit tё institucioneve tё Republikёs sё Kosovёs; synon krijim artificial tё tensioneve dhe si e tillë meriton tё dёnohet ashpёr nga gjithsecili qё kundёrshton hapat unilateralë”, ka thënë Bislimi.

Lidhur me këtë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Beogradi po këmbëngul të përdorë miliarda para të pagjurmueshme, pasi, sipas tij, ata duan të fshehin se ku po shkojnë paratë.

“Ne përsërisim edhe një herë gatishmërinë tonë për të ndihmuar në lehtësimin e një procesi ku ndihma financiare u jepet atyre që kanë nevojë. Megjithatë, ne nuk mund të lejojmë miliarda para të gatshme të hyjnë në vend pa autorizimin e duhur dhe zbulimin e përfituesve përfundimtarë. Asnjë vend nuk e lejon këtë”, ka deklaruar Murati.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se pala kosovare ua ka sqaruar se pa autorizim të BQK-së nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare.

“Përfaqësues të palës serbe sot kanë pyetur në pikën doganore në Jarinje se nëse mund të importojnë para. Ne ua kemi sqaruar se pa pasur autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës.

Por nga Banka Popullore e Serbisë thonë se transporti i mjeteve financiare u bë në bazë të një praktike të kamotshme dhe se ato ishin të destinuara për paga, pensione, kontribute shoqërore dhe pagesa të tjera për serbët që jetojnë në Kosovë.

“Në bazë të një praktike të kamotshme, automjeti i Bankës Popullore të Serbisë me mjete në dinarë sot është dërguar në pikëkalimin në Jarinjë, ku paratë për transport të mëtejmë do të merreshin nga vetura e kompanisë ‘Henderson’, e cila ka licencë nga autoritetet e Prishtinës për transportin e parave. Por, ajo është kthyer pa asnjë shpjegim”, thuhet në reagimin e Bankës Popullore të Serbisë.

Paratë, sipas saj, ishin të destinuara të shkonin në kasafortën që ka në Leposaviq.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës.

Kjo rregullore parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Por, ka pasur kërkesa nga ndërkombëtarët që zbatimi i saj të shtyhet.

E Agron Demi, njohës i çështjeve ekonomike ka thënë se është marri të mos pranohet sugjerimi i SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të rregullores.

Ka kritikuar politikanët që po thirren se BQK është institucion i pavarur, duke thënë se veç institucion të pavarur nuk ka në këtë vend.