LAJMET E MBRËMJES

BIK-u mohon akuzat për keqpërdorim fondesh, fajëson ish-arkëtarin Rexha

Pretendimet për keqpërdorim të fondeve në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës kanë nxitur përplasje të ashpra mes ish-arkëtarit Bahri Rexha dhe drejtuesve të institucionit. Ndërsa Rexha akuzon zyrtarët e lartë të BIK-ut për keqpërdorime financiare, ky institucion i mohon kategorikisht këto pretendime dhe e fajëson vetë Rexhën për shpërdorim të mbi 166 mijë eurove

Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë ka hedhur poshtë akuzat për keqpërdorim të mjeteve që mblidhen nga anëtarësia, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet e ish-arkëtarit Bahri Rexha të bëra në emisionin “Betimi për Drejtësi” që transmetohet në KTV.

Në konferencën e mbajtur të dielën, përfaqësuesi i BIK-ut, Bahri Sejdiu ka thënë se fonde ka keqpërdorur vetë Rexha, ndaj të cilit u shpreh se kanë ndërmarrë veprime ligjore.

“Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës ka ndërmarrë hapat proceduralë; padinë civile të ish-arkëtarit Bahri Rexha bazuar në provat përkatëse si dhe kallëzim penal pranë Prokurorisë për veprat penale të dyshuara që kanë rezultuar nga veprimet e tij”, ka thënë Sejdiu.

E avokati i angazhuar nga BIK-u, Florim Shefqeti ka theksuar se në këtë institucion kanë fakte që ish-arkëtari Rexha ka bërë tërheqje të mjeteve të Bashkësisë Islame në vlerë afro 30 mijë euro, e që nuk dihet ku kanë përfunduar.

“Është konstatuar fakti që ka pasur tërheqje të mjeteve, realisht ne kemi thënë edhe për atë emision që është publikuar që kanë qenë dy tërheqje që ka bërë z. Rexha, 11 mijë dhe 17 mijë euro dhe nuk dihet ku i ka çuar”, ka thënë Shefqeti.

Sipas Bashkësisë Islame, Bahri Rexha në pozitën e arkëtarit, nga viti 2020 deri më 2022 ka tërhequr nga llogaria e BIK-ut 166 mijë euro pa mbulesë, të cilat sipas institucionit kanë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të.

Në emisionin “Betimi për Drejtësi”, për keqpërdorime me mjetet e Bashkësisë Islame, Rexha shfajësoi veten, e përgjegjës tha se janë zyrtarët e lartë të BIK-ut.

Rexha ka hedhur akuza edhe ndaj myftiut Naim Tërnava dhe kryetarit të Këshillit të BIK-ut në Prishtinë, Hetem Sopjani.

Rexha pretendon se në vitin 2022 për motive personale, myftiu Tërnava i ka kërkuar njëherë 20 mijë e më pas edhe 15 mijë euro para në dorë nga arka e BIK-ut.

Ish-arkëtari Rexha tha se paratë ia ka dorëzuar Tërnavës në zyrë, ku ishte i pranishëm edhe zv.kryeimami Idriz Gjigoli.