LAJMET E MBRËMJES

Biden: Inkurajojmë Kosovën t’i përmbushë obligimet e dialogut me Serbinë

Me rastin e përvjetorit të 16-të të pavarësisë, presidentja Vjosa Osmani ka pranuar urime nga dy aleatët kryesorë të Kosovës, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka inkurajuar udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë e mbreti Charles i ka vlerësuar të rëndësishme marrëdhëniet mes dy vendeve në funksion të paqes dhe prosperitetit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, me rastin e 16-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka inkurajuar udhëheqjen e Kosovës që t’i përmbushë obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.

Në urimin e tij dërguar presidentes Vjosa Osmani, Biden ka thënë se vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për reforma dhe për integrim në Bashkimin Evropian.

“Vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuara nga BE-ja për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse me Serbinë – një hap i rëndësishëm përpara njohjes reciproke në fund (të procesit). Bashkë me vendet e rajonit dhe botës, SHBA-ja e inkurajon lidershipin e Kosovës që t’i përmbushë obligimet e tij, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij proces”, thuhet në urimin e Bidenit.

Lideri amerikan ka thënë se SHBA dhe Kosova ndajnë miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.

“Shoh përpara mbi bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme që në fund të arrihet qëllimi i Kosovës për integrim në BE”, ka thënë Bideni.

Presidenti amerikan ditë më parë nëpërmjet një mesazhi dërguar presidentit serb, Aleksander Vuçiq, për ditën e shtetësisë së Serbisë e inkurajoi atë që të bëjë hapa para, përfshirë kompromise me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Urime presidentja Vjosa Osmani ka pranuar edhe nga mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar.

“E vlerësoj lidhjen mes kombeve tona dhe shpresoj se vendet tona të mund të vazhdojnë të punojnë bashkë për çështje të rëndësishme globale, qofshin ato për paqe dhe prosperitet, apo mjedis dhe ndryshime klimatike, nga të cilat do të përfitojnë gjeneratat tona të ardhshme në vitet në vijim”, thuhet në urimin e mbretit.

Osmani ka pranuar urim edhe nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.

Përvjetori i 16-të i pavarësisë e gjen Kosovën në presion të aleatëve perëndimorë, të cilët nuk pajtohen me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ditë më parë tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me SHBA-në pas vendimit për ndalimin e dinarit.