LAJMET E MBRËMJES

Beteja e Koshares vlerësohet si ngjarja që hapi rrugën për shtetësi e pavarësi

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se luftëtarët e Betejës së Koshares e pasqyrojnë vetëmohimin e popullit të Kosovës për t’i dhënë gjithçka atdheut. Ajo ka theksuar se në Betejën e Koshares, sikurse edhe në kapitujt e tjerë të historisë së Kosovës, përmblidhen guximi, sakrifica dhe vendosmëria e popullit për liri

Me seancë solemne deputetët e Kuvendit e kanë shënuar të enjten 25-vjetorin e Betejës së Koshares. 

Tek ka folur para ligjvënësve, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se luftëtarët e Betejës së Koshares e pasqyrojnë vetëmohimin e popullit të Kosovës për t’i dhënë gjithçka atdheut. Ajo ka theksuar se në Betejën e Koshares, sikurse edhe në kapitujt e tjerë të historisë së Kosovës, përmblidhen guximi, sakrifica dhe vendosmëria e popullit për liri. 

“25 vjet më parë, ne qëndruam në një udhëkryq ekzistencial të krijuar nga padrejtësia, shtypja, tirania, por mbi të gjitha nga tendencat e regjimit gjenocidal të Serbisë për shfarosje të popullit tonë. Megjithatë, si popull e si komb ditëm të mobilizohemi të gjithë në një front të përbashkët. Burra e gra duke mbrojtur dinjitetin dhe te drejtën tonë për liri dhe për shtet”, ka thënë Osmani. 

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shprehur qëndrimin se rruga për pavarësi e për shtetësi e Kosovës është rezultat i heroizmit të luftëtarëve. “Beteja e Koshares u bë shtegu pa kthim i përpjekjeve gati njëshekullore të kombit shqiptar për çlirim e për bashkim. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shembja e gurit të kufirit me çizmen e komandantit Agim Ramadani e Sali Çekaj, ishte një nga ngjarjet historike të luftës sonë çlirimtare”, ka thënë ai.

E kryeministri Albin Kurti ka thënë se lufta për shembjen e kufirit, pos rëndësisë strategjike e operative, e ka pasur edhe atë historike e kombëtare. 

“Në Betejën e Koshares, teksa në radhën e Ushtrisë së Serbisë luftonin edhe mercenarë rusë, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftonin edhe luftëtarë nga Evropa dhe jo vetëm. Liria e brendshme e popullit është parakushti më total i çlirimit nga okupatorët e jashtëm dhe mundësia më reale e shtetformimit integral. Nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi e krijohet shteti”, ka thënë ai.

Në seancë solemne të Kuvendit fjalime kanë mbajtur edhe deputetë pjesëmarrës të Betejës së Koshares. Si njëri prej tyre, deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Hysen Berisha, ka thënë se Kosharja i ka dhënë dimension fitores kundër barbarisë serbe.

“Të dashur vëllezër të armës, në veçanti ju nëna të dëshmorëve, iu kërkojmë falje nëse në këta përvjetorë, me raportimet tona nuk jemi satisfaksion për dhimbjen tuaj të lirisë, kurse ata do të jenë kudo me ne“, ka thënë Berisha.

E Anton Quni, deputet i Lidhjes Demokratike (LDK) dhe njëherësh ish-luftëtar i Koshares, ka theksuar se pavarësisht vështirësive, qëllimi i ka forcuar luftëtarët e kësaj beteje dhe i ka bërë më të vendosur për liri. 

“Ne ishim fitimtarë, ne nuk u zmbrapsëm asnjë pëllëmbë, ne vetëm marshonim përpara. Mësymjen deri në fitore e përjetuam me dhimbje, humbëm më të dashurit tanë, strategët Agim Ramadani, Salih Çekaj, humbëm komandantët Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin e Ali Hasin. Gjithsej 114 luftëtarë kishin kaluar në përjetësi. Mbrapa çdo njërit është një histori”, ka thënë Quni.

Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që në kohën e Betejës së Koshares ka qenë mjeke lufte, ka treguar se si për të dhe për të tjerët pjesëmarrës në betejë, sfidat dhe rreziqet pranoheshin pa hezitim.

“Të gjithë këta dëshmorë e 423 të plagosur u trajtuan nga ekipi mjekësor ose njësia e shëndetësisë që kanë pasur rol të shumëfishtë, edhe si luftëtarë, edhe si mjekë, të cilët sipas rregullave do të duhej të vendoseshin diku në prapavijë, por kjo nuk ka ndodhur sepse mjekët e kanë marrë rrezikun dhe baras me ushtarët kanë qëndruar në vijat e para të frontit“, ka deklaruar ajo.

25 vjet më parë, në Betejën e Koshares të vitit 1999 janë vrarë 114 ushtarë. Kjo betejë llogaritet si një prej më të mëdhave që ka realizuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.