LAJMET E MBRËMJES

BE-së i kërkohet t’i ndalë fondet për Serbinë pasi përfshiu në qeveri dy të sanksionuar nga SHBA-ja

Edhe pse Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjim ndaj Serbisë pas përfshirjes në kabinetin e ri qeverisës dy të sanksionuarit Aleksandër Vulin dhe Nenad Popoviq, ata do të jenë pjesë e kabinetit që do të udhëhiqet nga Milosh Vuçeviq. E zyrtarët evropianë kanë kërkuar masa ndaj Serbisë, pasi pushteti në Beograd synon forcimin e lidhjeve me Kinën e Rusinë

Kuvendi i Serbisë është mbledhur të mërkurën për të votuar qeverinë e re me kryeministër Milosh Vuçeviqin. 

Me gjithë zhgënjimin që ka shprehur Departamenti amerikan i Shtetit, pjesë e kabinetit të tij do të jenë të sanksionuarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Vulin si zëvendëskryeministër dhe Nenad Popoviq, ministër pa portofol. 

Pavarësisht emërimeve, Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Vulini e Popoviqi mbesin nën sanksionet e SHBA-së. 

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë rol në vendimet e Qeverisë së Serbisë. Jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozohen për poste në qeverinë e re. Qëndrimi ynë për Vulinin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara”, thanë nga DASH-i.

Aleksandar Vulin dha dorëheqje si drejtor i Agjencisë serbe të Zbulimit (BIA) pas vendosjes së sanksioneve ndaj tij. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën se nuk ishte i lumtur për njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, pas propozimit të Vulinit e Popoviqit për të qenë pjesë e kabinetit të qeverisë serbe. 

“Shpresoj se do të kemi marrëdhënie të mira me partnerët tanë amerikanë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi marrëdhënie të mira. Nuk jam i kënaqur me reagimin e tyre, por Qeveria e Serbisë është zgjedhur nga qytetarët e Serbisë”, ka deklaruar Vuçiqi.

“Kjo do të thotë që kur vendosin sanksione ndaj dikujt, ne duhet ta përkulim kokën me përulësi dhe të themi – faleminderit që na informuat kush nuk duhet të jetë asgjë”, ka shtuar ai.

Vulini u sanksionua nga SHBA-ja vitin e shkuar për përfshirje në marrëveshje korruptuese që shtynin përpara agjendat politike në kurriz të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe që lehtësonin aktivitete të Rusisë në Serbi dhe rajon. Në kohën kur u sanksionua ishte në krye të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë. Ndërkaq është konfirmuar se në sulmin terrorist në Banjskë ka marrë pjesë edhe një truprojë e tij.

Po ashtu, ai njihet për marrëdhëniet e tij të afërta me Rusinë. Së fundi drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë, gjenerali Aleksandër Bortnikov, ia dha një çmim të lartë. Vulin u dekorua me “urdhrin për profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe kontribut në bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve serbe dhe ruse”.

Edhe Popoviqi është sanksionuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për çështje që lidhen me ndikimin e Rusisë në rajon dhe me korrupsionin e mundësuar prej tij.

Kryeministri serb në fjalimin e tij përmendi edhe aleancat me shtete që sfidojnë perëndimin. Ai paralajmëroi se do t’i ruajë marrëdhëniet e mira me Kinën e Rusinë. 

Megjithatë konfirmoi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Por, siç ka thënë ai, pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t'u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës”.

“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione. Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t'i bashkohemi politikës së sanksioneve”, ka thënë Vuçeviq.  

Së fundi u raportua se Serbia mund të bëhet shteti i parë evropian që i bashkohet organizatës së shteteve - Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut - e njohur si BRICS. 

Eurodeputetja Viola von Cramon i ka bërë thirrje Evropës që t’ia ndalë fondet Serbisë për shkak të raporteve që presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, po ruan me Kinën dhe Rusinë. 

“Duhet ta përzëmë. S’ka më para të Bashkimit Evropian, as pako të zgjerimit për Serbinë derisa Vuçiqi vallëzon me autokratët në Kinë e Rusi”, ka shkruar ajo.  

Cramon e ka akuzuar Vuçiqin tek ka shpërndarë një reagim të analistes amerikane, Ivana Stradner, në platformën “X”. 

“I dashur Bashkimi Evropian. Kujt ia ndien. Lëreni të shkojë. Vuçiqi ka nevojë për ju më shumë se që keni ju nevojë për të. Ky është thjesht shantazhi i tij më i fundit. Fillimisht me Rusinë e tani me Kinën. Investoni në shtete të tjera të rajonit, ktheni regjimin e vizave dhe izolojeni Vuçiqin e pushtetin e tij”, ka thënë Stradner, e cila ka publikuar në “X” lajmin se presidenti kinez Xi Jinping do ta ftojë Serbinë t’i bashkohet BRICS-it. 

Por presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e ka përjashtuar mundësinë që të bëhet pjesë e BRICS-it. 
Duke iu përgjigjur ekspertes së institutit amerikan, Ivana Stradner, Vuçiq tha se janë të çmendur ata që mendojnë se shteti i tij do ta braktisë rrugën drejt Bashkimit Evropian. 

“Si i di ajo mendimet e mia? A më vunë një lloj çipi dhe tani po lexojnë mendimet e mia, atë që ëndërroj dhe mendoj? A u çmendën të gjithë bashkë? Unë kam respektin maksimal për BRICS-në, por Serbia është në rrugën evropiane dhe Serbia do të qëndrojë në të”, ka thënë Vuçiq.

Aderimi eventual i Serbisë në BRICS do të nënkuptonte kthimin në planin origjinal të zgjerimit të bllokut, i cili ishte fokusuar në Evropë dhe jo në Lindjen e Mesme. 

Presidenti Aleksandër Vuçiq do ta presë homologun kinez Xi Jinping më 7 dhe 8 maj. 

Ministria e Jashtme kineze njoftoi më herët se Xi Jinping, përveç në Serbi, do të shkojë edhe në Francë e Hungari.