LAJMET E MBRËMJES

BE: Puna për themelimin e Asociacionit të nisë pa vonesa të reja dhe pa parakushte

Vendet e bllokut evropian kanë shprehur keqardhjen për mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit në Bruksel midis kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, nga BE-ja u është bërë thirrje puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të nisë pa vonesa të reja e pa kushte. E zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka kualifikuar si të pabazë kritikën që kryeministri Kurti ia bëri emisarit, Miroslav Lajçak, se nuk është i paanshëm në procesin e dialogut

Diskutimet brenda Bashkimit Evropian për ecurinë e dialogut mes Kosovës e Serbisë janë bartur në New York, siç është paralajmëruar, ku po ndodhen ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dhe liderët e BE-së për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në një takim që është zhvilluar mbrëmë në mes të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian për takimin e fundit në nivel të lartë në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka raportuar përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ai ka thënë se ministrat kanë shprehur keqardhje për mungesën e progresit në takimin e fundit. Në një komunikatë, që është lëshuar në emër të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, thuhet se BE-ja i fton palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, dhe se kjo do të thotë që të nisin implementimin në bazë të propozimit të BE-së pa vonesa të reja, që e përfshin po ashtu edhe obligimin për të dyja palët që në tërësi të implementojnë të gjitha marrëveshjet nga e kaluara në dialog, thuhet në këtë komunikatë.

Fjala është për thirrje në një propozim të BE-së, për të cilën është thënë se e ka refuzuar Kosova në takimin e fundit.

Puna për të themeluar Asociacionin-Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe duhet të nisë pa vonesa të reja dhe pa parakushte, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën komunikatë, që në emër të BE-së e ka lëshuar përfaqësuesi i lartë Borrell, shprehet edhe shqetësimi i Bashkimit Evropian për mungesë të progresit nga të dyja anët për depërshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.

Hapat e ndërmarrë deri më tash quhen të pamjaftueshëm, prandaj përsëritet se në këto rrethana masat ndaj Kosovës do të mbahen, por BE-ja është e gatshme që t’i heqë ato në rast të progresit apo edhe të shqyrtojë masa shtesë ndaj të dyja palëve, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.

Po ashtu, në komunikatën e Bashkimit Evropian kësaj radhe shprehet shqetësim edhe për sulmet ndaj policëve apo kadetëve me kombësi serbe, të rekrutuar së fundi nga ana e Policisë së Kosovës. Sulmet e tilla quhen të papranueshme.

Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, i ka quajtur si të pabaza akuzat që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë ndaj të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, se Lajçak nuk është i paanshëm në procesin e dialogut.

Zëdhënësi i BE-së ka rikujtuar se të gjitha vendet anëtare kanë përsëritur mbështetjen e plotë për Lajçakun, si dhe për përfaqësuesin e lartë, Borrell.