Rishikimin e projektligjeve të miratuara të hënën, ia ka kërkuar Serbisë Bashkimi Evropian. Nëpërmjet një reagimi, Brukseli zyrtar ka shprehur qëndrimin se vendimet e Qeverisë së Serbisë përbëjnë shkelje të qarta të obligimeve të dala nga procesi i dialogut
Përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE) kanë kritikuar Serbinë, pas miratimit në Qeveri të masave për Kosovën.
Në një përgjigje për KOHËN, blloku evropian i ka konsideruar shkelje nga ana e Serbisë shpalljen e Kosovës si zonë e mbrojtjes së veçantë sociale dhe miratimin e projektligjit i cili parasheh ndjekjen penale të atyre që, sipas Serbisë, persekutojnë popullatën serbe në Kosovë.
“Qysh prej Marrëveshjes së Brukselit nga vitit 2013, Kosova dhe Serbia kanë obligime të qarta sa i përket juridiksionit përkatës. Draftligji i Qeverisë së Serbisë përmes së cilit e deklaron Kosovën si një zonë të mbrojtjes së veçantë, si dhe për juridiksionin që autoritetet gjyqësore të merren me veprat kriminale në Kosovë, në mënyrën si janë publikuar, paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe shkojnë në kundërshtim me përkushtimin e përsëritur rishtazi në kuadër të dialogut”, ka thënë Nabila Massralli, zëdhënëse e BE për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë.
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që ta rishqyrtojë këtë projektligj derisa ia ka rikujtuar asaj obligimet që ka nga marrëveshjet e arritura në procesin e bisedimeve me Kosovën.
“BE-ja ia rikujton Serbisë se ka obligim ndaj të gjitha marrëveshjeve të dialogut, si pjesë përbërëse e integrimeve në BE dhe i bën thirrje Serbisë që ta rishqyrtojë këtë draftligj në mënyrë përkatëse”, ka thënë zëdhënësja Massralli.
Një ditë më parë, vendimet e Qeverisë serbe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka konsideruar pengim të procesit të dialogut e shkelje të marrëveshjeve të arritura.
Shpallja e Kosovës zonë e mbrojtjes së veçantë sociale e miratimi i projektligjit për juridiksionin e autoriteteve gjyqësore është paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në shtator të këtij viti.
Këtë paralajmërim ai e kishte bërë në një adresim për media, e në të cilin kishte prezantuar disa kërkesa, në mesin e së cilave edhe atë për shpalljen e zgjedhjeve në veri e kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Kërkesat e Vuciqit, në atë kohë, u patën përkrahur nga Bashkimi Evropian.