LAJMET E MBRËMJES

BE-ja vlerëson se po shpërfillen rekomandimet e saj për tri projektligje

Tri nga projektligjet që pritet të hidhen për votim në seancën e së enjtes të Kuvendit, sipas Bashkimit Evropian, nuk janë në harmoni me rekomandimet që i ka dhënë tash e një kohë. Bëhet fjalë për projektligjet për Zyrtarët Publikë, Këshillin e Pavarur të Mediave dhe Këshillin Prokurorial

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur brengën lidhur me tri projektligje që janë në rend dite për t’u miratuar në lexim të dytë, në seancën plenare të së enjtes.

Për Ligjin për Zyrtarët Publikë, atë për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës, në Zyrën e BE-së konsiderojnë se janë shpërfillur rekomandimet që i kanë ofruar.

Sipas BE-së, me miratimin e Projektligjit për Zyrtarët Publikë cenohet paanshmëria e shërbimit civil.

“Veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil. Ndryshime të tilla, nëse zbatohen, rrezikojnë të minojnë profesionalizimin dhe paanshmërinë e shërbimit civil”, thuhet në reagimin e BE-së të mërkurën.

Edhe për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, Zyra e BE-së ka brenga për disa çështje, si për financimin e KPM-së dhe për mandatin e anëtarëve.

“Versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve”, thuhet tutje në reagim.

E për Projektligjin për Këshillin Prokurorial ka kërkuar që institucionet t’i drejtohen edhe një herë Komisionit të Venecias.

Reagimin e Zyrës së BE-së e ka përkrahur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode. 
“Këshilla ime për Kuvendin e Kosovës: Rishqyrtoni amendamentet e propozuara dhe rreshtoni draftet përpara votimit”, ka shkruar Rohde.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e mbajtur të hënën, dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, kanë paralajmëruar dërgimin e këtyre ligjeve në Gjykatën Kushtetuese nëse miratohen me përmbajtjet aktuale.