Edhe pse zyrtarisht Bashkimi Evropian pohon se masat ndaj Kosovës lidhen vetëm me hapat për uljen e tensioneve, shumë burime diplomatike pranojnë se heqja e tyre lidhet edhe me procesin e dialogut, prandaj ato akoma nuk janë hequr
Para një muaji dukej se Bashkimi Evropian (BE) do t’ia hiqte masat Kosovës, pasi një gjë të tillë e kishte rekomanduar në raportin e tij edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Pas diskutimeve që ishin zhvilluar pas dorëzimit të atij raporti nga përfaqësuesit e vendeve anëtare në Komitetin për Politikë dhe Siguri (PSC) kishte dalë konkludimi për heqjen graduale të masave, pasi nuk kishte pajtim nga vendet anëtare për heqjen e plotë të tyre. Dhe, siç kanë thënë burimet diplomatike nga shumë shtete, atëherë “kishte mbetur vetëm që në emër të BE-së, Borrelli të lëshojë një komunikatë me të cilën do të njoftojë heqjen e masave”.
Menjëherë vendet anëtare kishin marrë një draft të një deklarate të tillë me afat kohor deri kur do të duhej të deklaroheshin nëse pajtohen apo jo. Dhe në disa versione, disa vende anëtare kishin shprehur rezerva dhe për këtë shkak nuk janë hequr masat as gradualisht.
Shumë diplomatë të vendeve anëtare të BE-së i kanë thënë KOHËS se “nuk e kanë më të qartë se çfarë po ndodh me këtë” dhe se janë në pritje që Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së (EEAS), që merret me këtë çështje, të dalë me deklaratë. Por EEAS-i tash është në konsultime me ato vende që kanë rezerva dhe nuk dihet se kur mund të ketë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, vetëm ka përsëritur se Borrelli ka dorëzuar në qershor raportin e tij, se përmbajtja e raportit nuk është publike, dhe se konsultimet në Këshill për këtë raport po vazhdojnë. Ai ka përsëritur se Borrelli para gazetarëve në fund të qershorit vetë e kishte konfirmuar se e ka rekomanduar heqjen e masave.
Edhe pse zyrtarisht në BE pohojnë se masat ndaj Kosovës lidhen vetëm me hapat për uljen e tensioneve, shumë burime diplomatike pranojnë se heqja e tyre lidhet edhe me procesin e dialogut, prandaj ato ende nuk janë hequr.
Disa diplomatë pohojnë se “pengesë janë disa vende anëtare, sidomos ato që nuk e kanë njohur Kosovën”, por përmendin edhe hezitimin nga Franca dhe Italia. Kundër thuhet se janë edhe Sllovakia dhe Rumania, që mund të jetë edhe rezultat i lobimit nga Serbia që të mos hiqen masat. Të njëjtat burime pohojnë se ka mosbesim nga ana e disa vendeve anëtare ndaj Kosovës, sidomos pas paralajmërimeve se mund të bëhen veprime për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, të cilat veprime BE-ja doli t’i shihte si “të njëanshme dhe të pakoordinuara“.
Në anën tjetër, disa vende nuk janë të sigurta as se çfarë qëllimi ka EEAS-i. Ndonëse ka rekomanduar heqjen e masave, nuk është e qartë se çfarë komunikimi kanë individualisht me disa vende anëtare.
Ka edhe vende anëtare që janë në favor të heqjes së masave, por nuk e kanë mbështetur një version të tekstit sipas së cilit, nëse hiqen masat, ato do të mund të ktheheshin menjëherë nëse Kosova ndërmerr ndonjë hap që do të konsiderohej si i njëanshëm.
Disa shtete nuk kanë qenë në favor të heqjes së të gjitha masave financiare, siç ishte paralajmëruar jozyrtarisht. E disa vende duan të hiqen masat për projekte të financuara nga BE-ja e ku janë të angazhuara kompani nga ato vende.
“Kemi një situatë të paqartë dhe si rezultat masat akoma nuk janë hequr, as tërësisht e as pjesërisht. Por, shpresojmë se do të arrihet një kompromis“, ka thënë një diplomat i BE-së.
Edhe vetë Borrelli, në rekomandimin e tij, e kishte lidhur në një mënyrë heqjen e masave edhe me dialogun.
“Vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte për një kontekst të balancuar në të cilin dialogu Beograd-Prishtinë, i lehtësuar nga BE-ja, mund të ecë përpara. Nga Kosova pritet që të shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë depërshkallëzuese dhe të evitojë veprimet e pakoordinuara“, kishte thënë Borrelli në raportin e tij.
Pas dështimit të Borrellit që të zhvillojë një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ç’gjë Borrelli përgjegjësinë ia kishte lënë palës kosovare duke thënë publikisht se Vuçiqi ishte i gatshëm për takim dhe se Kurti kishte kushte, nuk kishte më avancim drejt heqjes së masave ndaj Kosovës.
“Vendimi është bërë më i vështirë pas sjelljes jokonstruktive në takimet e fundit në kuadër të dialogut, edhe në nivel të lartë, edhe në nivel të kyenegociatorëve”, ka thënë një burim i BE-së, nën kushtin e anonimitetit.
Prandaj disa diplomatë dyshojnë se tash në EEAS vullneti për heqjen e masave nuk është aq i madh sa ishte kur Borrelli kishte bërë raportin. As në Komisionin Evropian nuk ka vullnet të madh që Kosovës t’i hiqen masat. Si persona që nuk kanë vullnet për një gjë të tillë, nga diplomatët në BE përmenden sidomos Komisioneri për zgjerim, Oliver Verhelyi, por edhe drejtori i përgjithshëm, Jan Coppman.
Me gjithë këtë paqartësi që e ka vendosur heqjen e masave në një qorrsokak, në BE përsërisin se “puna në këtë dosje po vazhdon”.