LAJMET E MBRËMJES

BE-ja i kërkon Kosovës “tranzicion mjaft të gjatë” për Rregulloren e re të BQK-së

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës zgjatje të periudhës së tranzicionit për zbatimin e Rregullores së re të Bankës Qendrore, pasi që ka vlerësuar se rrezikohet të ndërlikohet jeta e qytetarëve të komuniteteve, veçanërisht atyre serbë, për shkak të “moskonsultave paraprake”. BE-ja ka kërkuar që kjo çështje të adresohet në dialogun midis Kosovës e Serbisë

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb, pasi që më 1 shkurt ka hyrë në fuqi rregullorja e cila parasheh vetëm përdorimin e euros për pagesa në Kosovë.

Në Qeveri kanë thënë se zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore (BQK) për para të gatshme do të bëhet nëpërmjet një tranzicioni të lehtësuar, duke mos specifikuar një afat kohor për këtë tranzicion.

“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, kanë thënë në BE, nëpërmjet një deklarate të lëshuar të enjten.

Blloku evropian po ashtu ka adresuar thirrje që Kosova “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga Brukseli.

Brukseli zyrtar ka shprehur shqetësim për vendimin e BQK-së mbi pagesat vetëm me valutën euro, pasi që “ky vendim, që e pamundëson përdorimin e dinarëve serbë, mund të ketë pasoja në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë”.

Sipas BE-së, për këtë vendim nuk ka pasur konsultime paraprake “veçmas për ndikimin që mund të ketë në spitale dhe shkolla, duke pasur parasysh “mungesën e alternativave në këtë moment”.

“BE-ja vë në pah se kjo rregullore do të ndikojë po ashtu në mbështetjen financiare që marrin serbët e Kosovës nga Serbia”, është theksuar në deklaratën e BE-së.

Paraprakisht komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe BE-në, i pati bërë thirrje Kosovës që ta shtyjë zbatimin e Rregullores së BQK-së. Qeveria ka insistuar se Rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndal trasferet e parave nga Serbia dhe se po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

Megjithëkëtë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin nuk janë të licencuara nga BQK-ja.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar të mërkurën se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

Hyrja në fuqi e Rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa. Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucioneve serbe në Kosovë, por edhe janë paguar pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Në zonat e banuara kryesisht me serbë, dinarët janë përdorur edhe në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zuvbin-Potok e Zveçan – çmimet janë me dinarë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.