Në takimin e 12 dhjetorit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, vendet anëtare pritet që ta paraqesin propozimin që në kornizën negociuese për anëtarësimin e Serbisë në bllok të përfshihet zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën. Në draftin me konkluzione, Beogradit zyrtar do t’i kërkohet edhe të bashkëpunojë në nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve për sulmet ndaj civilëve e ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, si dhe të atyre për sulmin ndaj Policisë në Banjskë
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të paraqesin propozim që në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësimin në këtë bllok të përfshihet urgjentisht zbatimi i Marrëveshjes për normalizim të raporteve me Kosovën, si dhe i të gjitha obligimeve të dala nga dialogu.
Propozimi pritet të paraqitet në takimin e Këshillit për Çështje të Përgjithshme, që do të mbahet më 12 dhjetor në Bruksel.
Në draftin me konkluzione, qasje në të cilin pati Radio Evropa e Lirë, theksohet se Serbisë do t’i kërkohet zbatimi i Marrëveshjes pa parakushte.
“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument-propozimin e BE-së.
Përfshirja e këtij obligimi në kornizën negociuese me Serbinë për anëtarësim është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut, si mënyrë që marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksi i zbatimit të saj, i arritur më 18 mars në Ohër, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.
Korniza e negociatave, deri më tani, nuk është ndryshuar formalisht. Ministrat e BE-së duhet që t’i miratojnë konkluzionet e takimit të 12 dhjetorit, që ato më pas të miratohen edhe nga liderët e BE-së, në Samitin 14 e 15 dhjetorit të Këshillit Evropian.
Në draftin e konkluzioneve, Serbisë do t’i kërkohet po ashtu që të bashkëpunojë plotësisht në funksion të nxjerrjes para drejtësisë të përgjegjësve për sulmet ndaj civilëve e ushtarëve të KFOR-it në protestën e dhunshme të serbëve lokalë, më 29 maj në Zveçan, si dhe të përgjegjësve për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe i dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023, dhe sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, thuhet në propozim-dokument.
Lidhur me këto raste Këshilli shpreh keqardhjen që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim.
Në konkluzione thuhet gjithashtu se blloku do të kërkojë nga Serbia që të inkurajojë serbët që të kthehen në institucionet e Kosovës, prej të cilave u larguan nëntorin e shkuar shkaku i pakënaqësisë me vendimin e Qeverisë lidhur me konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS.