Bashkimi Evropian ia njeh Kosovës të drejtën për targat në raport me serbët, por kërkon që ky proces të zgjidhet në kuadër të dialogut me Serbinë.
Qëndrimi është dhënë një ditë para se në veri të Kosovës të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë për qortimin e ngasësve të veturave që mbajnë targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
“E theksojmë qartë se Kosova ka të drejtë të ndryshojë gradualisht tabelat ‘KM’, por ai proces duhet të jetë në kuadër të dialogut. Ky vendim nuk është në përputhje me marrëveshjet nga dialogu mes dy palëve dhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2016. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje akterëve që të ruajnë paqen dhe të mos lejojnë ringjalljen e tensioneve të panevojshme në terren”, tha zëdhënësja e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Nabila Masrali.
Por në Qeverinë e Kosovës janë përcaktuar ta çojnë përpara vendimin e javës së shkuar, sipas të cilit procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza.
“Duam të sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtetin tonë, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar”, thuhet nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
E përfaqësues të Qeverisë së Serbisë i kanë dhënë trajtë tjetër interpretimi vendimit të Qeverisë.
“Ideja e Albin Kurtit është që të frikësohet populli serb, fillimisht me disa paralajmërime, e pastaj me gjoba. Nuk do të lejojmë kurrë të ndodhë një stuhi tjetër. Do të kërkojmë zgjidhje, do të shkojmë drejt gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi, por këtu tani gjërat nuk varen nga ne”, tha Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.
Të premten Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga zbatimi i vendimit për targa që nga 1 nëntori, dhe vendosi që implementimi të bëhet në tri faza. Bazuar në vendimin e ri, automjetet me targa ilegale nuk do të lejohen nga prilli i 2023-tës.