Nën dyshimin për korrupsion, është arrestuar ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, ndërsa është vënë në kërkim Naser Hafizi, ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore. Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar dokumente, por edhe armë e municion
Prej orëve të para të mëngjesit të së martës, Policia dhe Prokuroria Speciale zbarkuan në ish-objektin e Rilindjes për të bastisur zyrat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Aksioni nisi me urdhër të organit të akuzës, pas dyshimeve se dy zyrtarë të kësaj ministrie kanë kryer katër vepra penale që hyjnë në kuadër të korrupsionit.
Disa orë pasi filloi aksioni, hetues të krimeve ekonomike e sollën në Ministri ushtruesin e detyrës së sekretarit, Izedin Bytyqin.
Për një orë e gjysmë, Bytyqi u mbajt brenda Ministrisë, e më pas u arrestua dhe u largua nga aty në përcjellje të Policisë. Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Pos tij, i dyshuar është edhe një person tjetër me inicialet, N.H.
Koha merr vesh se bëhet fjalë për Naser Hafizin, ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në këtë ministri.
Atë Policia nuk e gjeti në vendbanimin e tij, por gjatë ditës, Hafizi ka thënë për KOHËN se ndodhet në Francë, në një udhëtim zyrtar. Prokuroria ka treguar veprat për të cilat dyshohen Bytyqi dhe Hafizi.
“I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ ‘Shpëlarje e parave’ dhe ‘Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar edhe disa prova, përfshirë armë e dokumente.
“Një revole e tipit Mauser-Werkr me dy karikatorë me nga shtatë fishekë dhe një kuti me pesëdhjetë e katër fishekë 9 mm, tridhjetë e katër fletëdokumente të ndryshme, tre telefona, një Iphone 15 ProMax, një Iphone 12 ProMax, një Iphone 11 ProMax, shtatëmbëdhjetë USB, tre llaptopë HP, katër shtëpiza kompjuteri si dhe dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria ka lëshuar urdhër të përkohshëm ndalimi edhe për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.