Deri në 4 orë kanë qenë pritjet paraditen e së hënë në pikën kufitare në Mardar në dalje të Kosovës. Megjithëse kanë pritur gjatë, bashkatdhetarët kanë thënë se kjo nuk e zbeh mallin për Kosovën. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar pritje deri në dy orë e gjysmë ka edhe te pika kufitare Dheu i Bardhë.
Pritjet e gjata kanë vazhduar edhe të hënën për mërgimtarët që po ktheheshin në vendet perëndimore nëpërmjet pikës kufitare në Merdar.
Paraditen e së hënës pritjet kanë zgjatur deri në 4 orë, ndërkohë, që pasdite ato kanë rënë në 2 orë e 20 minuta.
Bashkatdhetarët kanë thënë se me këto pritje po përballen tash e sa vjet.
“Pritja është eventualisht 2 orë e gjysmë deri këtu, tash edhe sa zgjat nuk e dimë. Arsyet nuk i dimë”, ka theksuar bashkatdhetari Mehmet Dreshaj.
Megjithëse kanë pritur gjatë, bashkatdhetarët kanë thënë se kjo nuk e zbeh mallin për Kosovën.
“Ka diku përmbi 1 orë e 40 minuta që po presim. Është e lodhshme, pak e mundimshme, po jemi kanë në vend tonë, jemi në vend tonë, apet e përballojmë”, ka thënë Zekë Hasaj, një tjetër bashkatdhetar.
Këtyre pritjeve nuk u ka shpëtuar as Ema e vogël. Edhe pse ka thënë se është lodhur duke pritur, ajo është shprehur e lumtur për vizitat që i ka bërë te familjarët në Kosovë.
“Të fala Kosovës”, ka thënë bashkatdhetaria Ema Behrami.
Paraditen e së hënës pritjet më të mëdha në dalje të Kosovës kanë qenë në Merdar, deri në 4 orë. Ndërsa, pasdite ato kanë rënë në 2 orë e 20 minuta.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritje deri në dy orë e gjysmë ka edhe te pika kufitare Dheu i Bardhë, ndërsa në hyrje pritjet në këtë pikë janë një orë.
40 minuta ka pasur pritje edhe në Mutivodë e Jarinjë dhe 20 minuta në Muçibabë. Në pikat e tjera kufitare nuk ka pasur pritje.