LAJMET E MBRËMJES

Avokatët kërkojnë lirimin e Shalës, thonë se nuk ishte në Kukës gjatë kohës që pretendon prokuroria

Ka paraqitur fjalën përfundimtare edhe mbrojtja e Pjetër Shalës në procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar në Hagë. Avokatët kërkuan lirimin e tij dhe thanë se shumica e dëshmitarëve nuk e përmendin Shalën, ndërkaq konstatuan se të tretë që e përmenden nuk janë të besueshëm. Mbrojtësit e viktimave e deklaruan të kundërtën.

Gjatë fjalës përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja e Pjetër Shalës ka kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat.

Shala akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje të paligjshme në ish-Fabrikën e Metalit në Kukës në periudhën 17 maj - 5 qershor 1999, por avokatët thanë se klienti i tyre nuk ndodhej në Kukës në periudhën për të cilën pretendon prokuroria.

“Z. Shala nuk ka qenë i pranishëm, nuk ka qenë dëshmitar dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë prej veprave penale për të cilat akuzohet... gjëra të këqija, ka të ngjarë, të tmerrshme të kenë ndodhur në këtë kohë, por natyra dhe shkalla e këtyre ngjarjeve nuk është e qartë”, tha avokati i Shalës, Mohamed Hedi Aouini. 

Kundërshtime dhanë edhe për pretendimin e prokurorisë se Shala e ka pranuar një pjesë të fajit, derisa vërejtje mbrojtësit shprehën për dëshmitarët, veçanërisht për deklarimet e dëshmitarit 1.

“Duhet të jeni seriozë sepse ky është qëndrim i gabuar. Sigurisht që nuk ka pasur asnjë pranim, asnjë lloj pranimi prej tij dhe dua t’ju them që ajo e cila e ka shpjeguar z. Shala ka të bëjë me një skenë tjetër, me fakte të tjera, një moment tjetër dhe nuk ka fare lidhje me atë çfarë u tha prej jush”, tha avokati tjetër i Shalës, Jean-Louis Gilissen.

Të kundërtën e pretenduan mbrojtësit e viktimave, që cituan edhe dëshmitarin 1. Ata i kërkuan gjykatës ta dënojë Shalën meqë, sipas tyre, ka kryer tortura ndonjëherë edhe për t’u argëtuar.

“Do ta citoj atë që ka thënë ai në këtë gjykim, kur i bëri pyetje avokati mbrojtës. Mbrojtja i tha: pse vendosët ta përfshini emrin e Pjetër Shalës në atë që ka ndodhur në Kukës?... Pra, ju keni vendosur ta përfshini Shalën, i thotë mbrojtja. Përgjigje: Po si mund ta përfshij unë atë kur ai është tashmë i përfshirë?! Na ka rrahur.” – tha mbrojtësi i viktimave Simon Laws.

“Ndalimi i torturës është norma më e detyrueshme e së drejtës ndërkombëtare, vrasja është një nga format më të rënda të një krimi. Në këto raste këto krime janë kryer kundër të ndaluarve, të pambrojtur, pa zemër, pa shpirt, thjesht ndonjëherë edhe për t’u argëtuar kryerësit, përfshirë këtu edhe të akuzuarin”, tha mbrojtësja e viktimave Maria Radziejowska. 

Avokatët e Shalës kontestuan vërtetësinë e dëshmisë së dëshmitarit 1. Për të thënë se ka kërcënuar të akuzuarin në gjykatore. Por, paraprakisht mbrojtësi i viktimave deklaroi se dëshmitari është i traumatizuar dhe se temperamenti i tij vjen shkaku i torturave nga Shala dhe persona të tjerë në Kukës.