Mbindërtime jashtë planifikimit, mungesë e inspektimeve dhe e pajisjes me certifikatë përdorimi, janë disa prej gjetjeve që Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar në raportin e auditimit të performancës për ndërtimet e larta në Komunën e Prishtinës. Krahas kryeqytetit, ZKA-ja ka identifikuar mangësi edhe në realizimin e projektit “Rehabilitimi i linjës 10 hekurudhore Hani i Elezit – Leshak”
Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një sërë parregullsish që lidhen me efikasitetin e efektivitetin në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës.
Në prezantimin e raportit të auditimit të performancës, të martën është bërë e ditur se Komuna e Prishtinës gjatë viteve 2021-2023 ka pasur mungesë të inspektimeve, nga lëshimi i lejeve të ndërtimit e deri te pajisja me certifikata të përdorimit.
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se vetëm 15 për qind e lejeve të lëshuara për ndërtim gjatë viteve 2017-2021 janë pajisur edhe me certifikatë përdorimi, e cila duhet të sigurohet para se një objekt të bëhet i banueshëm.
“Sipërfaqja ndërtimore e lejuar në leje të lëshuar, krahasuar me kushtet ndërtimore, është tejkaluar deri në 56 për qind, apo në tri deri në pesë kate më të larta sesa janë paraparë në plan. Vonesat në lëshimin e lejeve ndërtimore sillen nga 3 deri në 30 muaj. Kjo rrjedh si rezultat i shpërndarjes jo të duhur të detyrave tek zyrtarët përgjegjës, ku një zyrtari i është deleguar trajtimi i rreth 100 lejeve të ndërtimit, ndërsa një tjetri vetëm dy”, ka thënë Spanca.
Spanca ka thënë se si pasojë e ngritjes së kateve jashtë planifikimit është rrezikuar siguria e qytetarëve.
“Kemi vërejtur se ndërtesat e planifikuara me 8 dhe 10 kate u janë shtuar 3 deri në 5 kate përtej kushteve ndërtimore duke e mbingarkuar qytetin me struktura që nuk përputhen me planin e përgjithshëm rregullues urban dhe duke rrezikuar cilësinë e ndërtimit dhe rrjedhimisht edhe sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Spanca.
ZKA-ja ka prezantuar të martën edhe raportin e efikasitetit në realizimin e projektit “Rehabilitimi i linjës 10 hekurudhore Hani i Elezit – Leshak”. Sipas Spancës, ky projekt që është financuar nga burime ndërkombëtare e kombëtare është larg realizimit.
“Gjatë viteve 2015-2024 për projektin ‘Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 Hani i Elezit – Leshak’ janë paguar 92.3 milionë euro apo 37% të fondeve të ndara. Nga të dhënat e mbledhura ka rezultuar se realizimi i shpenzimeve për këtë projekt nga viti 2008 deri në vitin 2020 ka qenë shumë i ulët. Projekti është ende larg realizimi të objektivave të përcaktuara. Konkluzioni ynë është se ‘Infrakos’ së bashku me Ministrinë e Mjedisit e Ministrinë e Ekonomisë nuk ishin efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit për rehabilitimin e kësaj linje”, ka shtuar Spanca.
Hollësi u shpalosën edhe për auditimin e pajtueshmërisë për Kompaninë për Menaxhimin e Deponisë së Mbeturinave të Kosovës, për të cilën është thënë se kompania nuk ka arritur ta menaxhojë kontratën sipas kërkesave ligjore.
“Kompania në shtator të vitit 2021 kishte lidhur kontratë publike kornizë, mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së me vlerë totale indikative 1.4 milionë euro për periudhën trevjeçare. Ndërsa sipas auditimit, shpenzimet për këtë kontratë deri në qershor 2023 ishin 1.7 milionë euro. Konkluzioni i auditimit është se kompania nuk ka arritur të bëjë menaxhimin e kontratës sipas kërkesave ligjore. Devijimi nga kushtet e kontratës është material për faktin se në tetë pozicione lidhur me menaxhimin e kontratës, sasitë e parashikuara me kontratën kornizë ishin tejkaluar mbi limitin e lejuar ligjor prej 30 për qind, ndërkohë që 46 pozicione të tjera nuk ishin realizuar fare. Pra, tejkalimet e sasive të kontraktuara për pozicione të caktuara ishin me një kosto shtesë prej rreth 1 milion eurosh, mbi pragun e lejuar prej 30 për qind”, ka thënë Spanca.
Spanca ka nënvizuar se auditimet, të cilat janë planifikuar të publikohen këtë vit, janë edhe furnizimi me barna për shëndetësinë primare dhe sëmundjet e rralla, menaxhimi i lejeve të ndërtimit në Fushë-Kosovë dhe ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës.