LAJMET E MBRËMJES

Auditori fton Prokurorinë, merret me 67 raste keqpërdorimi në institucione

Zyra Kombëtare e Auditimit ka paraqitur gjetjet kryesore të raporteve të auditimit financiar, pajtueshmërisë, si dhe të performancës. Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur se tek janë analizuar shkeljet e evidentuara në 80 për qind të raporteve të auditimit në institucionet publike, janë identifikuar 67 raste me elemente potenciale për kryerje të veprave penale. Analiza e bërë ka treguar se 7 ndërmarrje publike kanë operuar me humbje dhe 5 me fitim. Sipas saj, keqmenaxhimi i ka kushtuar Telekomit me humbje prej 10 milionë eurosh

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar 67 raste me elemente potenciale për kryerje të veprave penale, tek ka analizuar shkeljet e evidentuara në 80 për qind të raporteve të auditimit në institucionet publike.

Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë për media të martën, të mbajtur në ZKA, ka thënë se për shkeljet e institucioneve janë njoftuar edhe organet e drejtësisë.

“Bazuar në nenin 24 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në, në lidhje me të gjitha këto raste menjëherë e kemi njoftuar Prokurorin e Shtetit, i cili na ka informuar me shkrim se çështjet e raportuara i ka adresuar tek kryeprokurorët e 7 prokurorive themelore të Republikës se Kosovës”, ka thënë ajo.

Spanca ka paraqitur shkeljet e kryera në institucionet ku kanë kryer auditimet.

Sipas saj, gjatë analizës së aspektit financiar te 12 ndërmarrjet publike është gjetur se gjatë vitit 2021, 7 prej tyre kanë operuar me humbje që në total bëjnë 17.3 milionë euro, ndërsa 5 të tjera kanë rezultuar me fitim prej 3.3 milionë eurosh.

“Pjesën më të madhe të humbjeve e kishte Telekomi i Kosovës në shumën prej 10.8 milionë eurosh, kurse fitim kishte realizuar ‘Termokosi’, 1.9 milionë euro. Në auditimin e performancës në RTK është vërejtur se kontrolli i dobët i ka kushtuar RTK-së 800 mijë euro nga keqmenaxhimi për tre vjet”, ka thënë Spanca.

Pas kumtimit të kësaj gjetjeje ka reaguar Telekomi. Në një sqarim të lëshuar për media thuhet se bëhet fjalë për moskuptim ose keqinterpretim të qëllimshëm të raporteve financiare.

“Humbja neto e raportuar në pasqyrat financiare të vitit 2021, në vlerë mbi 10 milionë €, është rezultat i paraqitjes në pasqyra financiare të Vendimit të Arbitrazhit në rastin me DARDAFON-in në vlerë mbi 13.4 milionë €, vendim ky i pranuar në vitin 2022, ndaj të cilit do të shfrytëzojmë çdo rrugë të mundshme për ta kundërshtuar si vendim të padrejtë dhe skandaloz. Paraqitja e vendimeve të tilla në pasqyra financiare është obligim sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit”, thuhet në reagimin e gjatë të Telekomit. “Ngarkimi i periudhës së vitit 2021 me këtë kategori të shpenzimeve nuk është rezultat i operimeve të vitit 2021 e as i viteve 2020 apo 2019. Efektet e këtij vendimi gjenezën e kanë në vitin 2009, kur është nënshkruar kontrata më e dëmshme jo vetëm në historinë e Telekomit, por të gjithë Kosovës, që nga paslufta”.

E, në ZKA kanë folur më në detaje për gjetjet gjatë auditimit në RTK.

“Kontrolli i dobët mbi menaxhimin e stafit të rregullt duke mos respektuar edhe vendimet e Bordit nga menaxhmenti i ka kushtuar RTK-së keqmenaxhim financiar në vlerë prej rreth 800 mijë eurosh për tre vjet. Parregullsitë kanë rezultuar me mungesë të llogaridhënies, transparencës dhe konkurrencës në menaxhimin e fondeve publike”, ka theksuar auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca.

Ajo ka folur edhe për hidrocentralet.

“ZKA ka konkluduar se sistemi i licencimit të hidrocentraleve karakterizohet me mangësi të theksuara në zbatimin e kritereve, i cili nuk siguron shfrytëzim efikas të ujërave në vend dhe menaxhim e mbrojtje të duhur të tyre dhe të mjedisit. Hidrocentralet janë lëshuar në përdorim pa u pajisur me leje ujore, mjedisore dhe licencë të prodhimit”, ka thënë Spanca.

Në konferencën auditores së përgjithshme janë përmendur edhe projekte specifike, menaxhimi i të cilave potencialisht përbën vepër penale.

Ajo ka folur për projektin kapital “Bashkimi i Qytetit në Ferizaj”, dhe ka konstatuar se projekti kishte marrë më shumë kohë dhe kostoja ishte më e lartë se që ishte paraparë.

“Vlera e parashikuar e kontratës për projektin ‘Ndërtimi i nënkalimit për vetura’ ishte afër katërfish më e lartë, ndarjet buxhetore ishin 1.5 milionë euro, ndërsa kostoja përfundimtare kishte arritur në 5.9 milionë euro. Si pasojë e planifikimit jo të mirë të projektit komuna kishte kontraktuar shumë punë të cilat nuk ishin parashikuar në fillim, është identifikuar menaxhim joefektiv i kontratave dhe kishte vonesë në kryerjen e punëve. Ndërsa, deri në kryerje të auditimit ende nuk ishte bërë pranimi teknik i projektit”, ka thënë ajo.

Mbështetur në auditimet e bëra, parregullsi thelbësore ka në menaxhimin financiar dhe të kontrollit e edhe në shpenzime.

“Parregullsitë janë të përhapura në cikël të ndryshëm transaksionesh dhe kategorish ekonomike të ndërlidhura me menaxhim financiar të shpenzimeve, të hyrave, proceseve të prokurimit, subvencioneve, menaxhim të aseteve, menaxhim të personelit dhe fusha të tjera. Po i theksoj vetëm disa nga mangësitë e identifikuara”, ka shtuar Spanca. “Klasifikimi joadekuat i shpenzimeve, avancat e pambyllura nga vitet paraprake, përfitimi i më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, vonesa në pagesën e detyrimeve, pagesat përmes vendimeve gjyqësore, shpenzime të paaprovuara dhe tejkalim i limiteve të lejuara”.

Në konferencën për shtyp janë shpalosur edhe parregullsitë kryesore të gjetura në fushën e subvencioneve.

“Mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve, mangësi në marrëveshjet e bashkëpunimit në mes të komunës dhe organizatave joqeveritare, mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencione, subvencionim pa thirrje publike”, kanë qenë disa nga shkeljet e theksuara nga Spanca.

Gjatë këtij viti janë përpiluar 121 raporte nga ZKA-ja, 110 nga to janë raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë, si dhe 11 të tjera përbëjnë auditim të performancës.