Konkursi për zgjedhjen e rektorit të Universiteti të Prishtinës është kthyer në pikën zero, pasi të mërkurën, asnjëri nga katër kandidatët nuk arriti të marrë shumicën e votave nga anëtarët e Këshillit Drejtues. Tri rundet, sa u zhvilluan me votim të fshehtë, u karakterizuan me nga tri abstenime nga anëtarët e KD-së
Asnjëri nga kandidatët për rektor të Universitetit të Prishtinës nuk arriti të marrë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues, në procesin zgjedhor të mbajtur të mërkurën.
Konkursi për zgjedhjen e rektorit tash është kthyer në pikë zero, pasi në tri runde kandidatët nuk morën më shumë se katër vota nga nëntë anëtarët e Këshillit.
Pozitën e rektorit e synuan: profesori i ekonomisë But Dedaj, profesori i matematikës, Faton Berisha, profesori i Fizikës, Sefer Avdiaj dhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike, Isak Shabani.
Dedaj dhe Avdiaj u eliminuan në rundin e parë, pasi nuk morën asnjë votë. Shabani e Berisha i morën nga tri, kurse tre anëtarë të Këshillit abstenuan.
As dy rundet e tjera nuk e përcaktuan fituesin, meqë asnjëri nuk i mori pesë vota, aq sa duhej për t’u zgjedhur rektor. Edhe në këto runde pati nga tri abstenime.
Po ashtu, në dy raundet e fundit, ku gara u zhvillua vetëm mes dy kandidatëve, votat e anëtarëve të Këshillit ndryshuan. Në një rund Shabani i fitoi 4 vota e Berisha 2, kurse në tjetrin ata dolën baras, 3 me 3.
Para votimit, kandidatët shpalosën planet e tyre qeverisëse, ku fokusi i tyre ishte në digjitalizimin e UP-së, ndërkombëtarizimin dhe harmonizimin e programeve studimore me tregun e punës.
E ndërmarrja e veprimeve për ofrimin e ambienteve të sigurta për studentët nuk u përmend nga ta.
Muaj më parë, 27 studente e akuzuan profesorin tashmë të suspenduar Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, ndërsa vitin e kaluar ish-profesori Bekim Bejta, u raportua për ushtrim të dhunës psikike ndaj studentëve ndër vite.
Pozita e rektorit parasheh mandat katërvjeçar, me mundësi të rizgjedhjes edhe për një tjetër.
Aktualisht pozitën e rektorit e mban Qerim Qerimi. Ai këtë pozitë e fitoi në vitin 2022 pasi rektori i atëhershëm Naser Sahiti u shkarkua nga Këshilli Drejtues me arsyetimin se nuk tregoi performancë të mirë në menaxhim.