LAJMET E MBRËMJES

Asnjë i arrestuar për vrasjen e rreshterit Lika

Derisa po kthehej nga puna, të martën mbrëma u vra rreshteri policor Muhamed Lika në rrugën “Idriz Seferi”, në Kaçanik. Në Prokurori thanë se dyshimet janë se veprën e kryen dy persona, por deri tash nuk i kanë identifikuar e as arrestuar. Vrasjen e policit e kanë dënuar drejtuesit e institucioneve

Nga dera e pasme e ndërtesës ku banonte dyshohet se u futën dy persona, me qëllim ekzekutimin e rreshterit policor, Muhamed Lika, në Kaçanik. 

Tek ngjitej shkallëve për të shkuar te banesa e tij, në drejtim të policit Lika u shkrepën katër plumba, njëri e goditi në gjoks e që rezultoi fatal për jetën e tij. 

Ngjarja ndodhi të martën mbrëma, në rrugën “Idriz Seferi”, në qendër të Kaçanikut. 

Përfaqësues të Prokurorisë thanë se kanë intervistuar dëshmitarë, por nuk ka ende asnjë të arrestuar.
Në konferencën për media në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kryeprokurori Burim Çerkini përjashtoi mundësinë që vrasja të ketë ndodhur për shkak të punës së Likës si polic.

“Nga ajo që shihet deri tani është që (të dyshuarit v.j.) kanë ikur nga vendi i ngjarjes në këmbë, nuk kemi të dhëna që kanë shfrytëzuar më vonë ndonjë veturë apo ndonjë mjet tjetër nga vendi i ngjarjes. Rreshteri Muhamed Lika njihet si një person shumë profesional dhe nuk kemi ndonjë indikacion që ai gjatë punës si zyrtar policor të ketë pasur ndonjë problem”, ka thënë ai.

Çerkini ka theksuar se në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja të plumbave 9.19mm, por edhe arma e rreshterit policor.

“Është përdorur një armë e zjarrit, ku në vend të ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19mm. Nuk është hasur arma e dorasëve që kanë kryer veprën penale në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes është gjetur arma e zyrtarit policor”, ka deklaruar kryeprokurori.

Çerkini ka thënë se autorët shihen në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë.

“Nga të dhënat deri më tani nuk na rezulton se ka pasur shkrepje me armë nga arma zyrtare e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. E ceka edhe në fillim, shihen dy persona duke ikur nga vendi i ngjarjes. Duken persona të rinj, por që nuk kemi arritur identifikimin apo njohjen e atyre personave”, ka theksuar Çerkini.

Ai po ashtu ka thënë se autoritetet e angazhuara nuk kanë mundur të ndërlidhin ndonjë motiv të djegies së lokalit të rreshterit më 2021 me vrasjen e tij.

Pas vrasjes së Likës, reagoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili deklaroi se vrasja e policit në Kaçanik është sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Kosovës.

“Vrasja e mbrëmshme e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, ka prekur rëndë secilin prej nesh dhe gjithë Policinë e Kosovës. Që nga momenti që kam marrë lajmin, jam në komunikim të vazhdueshëm me Policinë, me kërkesën që sa më parë të zbulohet vrasësi dhe të gjitha rrethanat e këtij krimi”, ka shkruar Sveçla në Facebook. “Ftoj dorasin apo dorasit që sa më parë të dorëzohen në organet e rendit, meqë i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe të arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje”.

Edhe Sindikata e Policisë ka dënuar vrasjen, duke e cilësuar “atentat kriminal”.

“Ky akt i rëndë është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë publike, ligjit dhe vetë shtetit të Kosovës. Çdo sulm ndaj një zyrtari policor është sulm ndaj Republikës së Kosovës! Policia e Kosovës është shtylla kryesore e rendit dhe sigurisë në vend. Prekja e saj është përpjekje për të minuar themelet e shtetit tonë dhe nuk do të tolerohet. Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga të gjithë akterët shtetërorë dhe institucionet e drejtësisë veprime të menjëhershme për zbardhjen e këtij akti kriminal dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve”, thuhet në reagimin e Sindikatës. “Ne qëndrojmë të palëkundur në mbështetje të çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe nuk do të lejojmë që këto akte të frikësimit të lëkundin përkushtimin tonë ndaj detyrës dhe Republikës”.

Vrasja e rreshterit Lika është e pesta brenda 10 ditësh në Kosovë.