LAJMET E MBRËMJES

Asnjë ankesë në PZAP për zgjatjen e afatit për akreditimin e vëzhguesve partiakë

Dy ditë pasi KQZ-ja mori vendim që ta zgjasë afatin për paraqitjen e kërkesave për akreditim të vëzhguesve të partive politike në zgjedhjet e 9 shkurtit, Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa nuk ka pranuar ankesë. Me gjithë që vendimi bie ndesh me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme, që parasheh se kërkesat për akreditim duhen dorëzuar deri në 25 ditë para ditës së zgjedhjeve, ushtruesi i detyrës së shefit të sekretariatit të PZAP-së, Tefik Mahmuti, thotë se ankesa nuk u deponuan as nga palët që e refuzuan vendimin si të kundërligjshëm

Asnjë ankesë nuk e ka pranuar Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, lidhur me vendimin e së mërkurës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta zgjatur edhe për pesë ditë afatin e subjekteve politike për të dorëzuar kërkesën mbi akreditimin e vëzhguesve.

Vendimi bie ndesh me pikën 3 të nenit 54 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, që parasheh se kërkesat duhen dorëzuar deri në 25 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve.

“Kërkesën për akreditim të vëzhguesve, çdo subjekt politik mund ta parashtrojë pranë KQZ-së në çdo kohë, deri në ditën e njëzetë e pestë (25) para ditës së zgjedhjeve”, thuhet në Ligjin për zgjedhje.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Sekretariatit të PZAP-së, Tefik Mahmuti, tha se Ligji e ka të specifikuar afatin, porse për këtë vendim, asnjë palë nuk ka deponuar ankesë.

“Deri më tani nuk kemi pranuar një ankesë të tillë. Por ashtu, është e rregulluar me Ligjin për Zgjedhjet, nëse nuk gaboj, neni 54, paragrafi 3, ku referohet 25 ditë për subjektet politike para mbajtjes së zgjedhjeve, 15 ditë për organizata dhe shoqëri civile, dhe 5 ditë për medie. Tani ky është afat ligjor. Nuk kemi parë vendim të shkruar, por nuk kemi pranuar as ankesë”, ka deklaruar Mahmuti.

Në mbledhjen në të cilën u mor vendimi, kundër propozimit votoi edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi (13:52). Votën kundër ai e pati paralajmëruar edhe në mbledhjen e së hënës.

“Përkundër të gjitha mendimeve tuaja, mendoj që është shkelje e ligjit nëse e shkurtojmë afatin siç e përcakton ligji vetë. Në realitet e shkurtojmë këtë 25-ditëshin, siç e kërkon ligji, dhe kjo është dispozitë ligjore dhe nuk është rregull e KQZ-së. Unë nuk mund ta përkrah, ju e keni të drejtën e votës”, ka sqaruar Radoniqi.

KOHA iu drejtua KQZ-së dhe kryetarit Radoniqi me pyetje nëse ai do të deponojë ankesë lidhur me vendimin, që e pati quajtur të kundërligjshëm. Në KQZ nuk kanë kthyer përgjigje, e Radoniqi nuk ka qenë i qasshëm gjatë ditës.

Në mbledhjen e së hënës, KQZ-ja ka akredituar 2 mijë e 274 vëzhgues nga 4 parti për zgjedhjet e 9 shkurtit - 95 prej tyre janë nga radhët e Partisë Demokratike, 1 mijë e 725 nga Lidhja Demokratike, 234 të koalicionit Vakat, ndërsa 220 nga “Demokratska Stranka”.

Kërkesën për zgjatje të afatit në atë mbledhje e patën parashtruar anëtarë të KQZ-së nga PDK-ja e LVV-ja.