LAJMET E MBRËMJES

Asistentët që presin avancimin e akuzojnë dekanen për abuzim me pozitën

Akuza ndaj dekanes së Fakultetit të Mjekësisë për mosrespektimin e rregullores së re për të ardhurat e stafit akademik, shprehën të martën nëpërmjet protestës asistentët që presin avancim në pozitë profesori. Ata shprehën vërejtjen se dekania Suzana Manxhuka-Kërliu me këtë po e pengon avancimin e tyre. E dekania theksoi se me veprimin e bërë po e mbron akreditimin e programeve të fakultetit

Asistentët në Fakultetin e Mjekësisë të cilët presin për t’u avancuar në pozitën e profesorit, kanë protestuar të martën në mëngjes kundër dekanes Suzana Manxhuka – Kërliu, për respektim parcial të rregullores “për të ardhurat personale të stafit akademik, shtesat sipas funksioneve, kompensimet e tjera në Universitetin e Prishtinës”.

Rregullorja e re e miratuar nga Këshilli Drejtues i UP-së në shtator të vitit të shkuar, parasheh normën e orëve për stafin akademik.

Në kohën kur në Universitetin e Prishtinës tashmë kanë filluar hapat e parë për shpalljen e konkurseve në njësi akademike, asistentët kanë thënë se nuk janë përfillur kërkesat e katedrave për hapjen e pozitave të reja për asistentë dhe profesorë asistentë.

Ata treguan se katedrat e fakultetit kanë kërkuar që të shpallet konkurs deri në gjashtë pozita, mirëpo Këshilli i Fakultetit ka vendosur për hapjen e më pak se katër pozitave.

Siç ka mësuar KOHA, për disa nga katedrat, atë Protetike Stomatologjike, Anesteziologjisë, Mjekësisë Sociale, Anatomi, Mjekësisë Interne, Biokimisë, Pediatrisë, Onkologjisë, Infermierisë, Farmacisë, është vendosur që të hapet konkursi për vetëm nga një pozitë. Vetëm në katedrën e Fizioterapisë është hapur konkurs për katër pozita.

Sipas asistentit në lëndët e Mjekësisë së Përgjithshme, Driton Vela, kjo është duke penalizuar avancimin e tyre. Ai ka kërkuar që të respektohet rregullorja e re, e të rritet numri i grupeve të studentëve, e si rrjedhojë të shtohen konkurset për pozita të profesorëve në të gjitha katedrat.

Vela ka thënë se funksionimi me vetëm dy ndarje të grupimeve ulë cilësinë e mësimnxënies.

“Rregullorja e re përcakton që në një grup në drejtimet Mjekësi Përgjithshme për numrin e studentëve të jetë deri në 50, ndërsa i kemi 200 studentë, prandaj duhet të dyfishohet numri i grupimeve, në anën tjetër prej 1 tetorit 2022, mësimi është duke u mbajtur faktikisht në mënyrë të paligjshme me dy grupime”, ka thënë Vela.

Asistenti në lëndët e Stomatologjisë, Sokol Krasniqi, ka drejtuar akuza ndaj dekanes për abuzim të detyrës. Ai ka thënë se Manxhuka-Kërliu e përfill rregulloren vetëm kur ka interesa klanore e klienteliste.

“Praktika e deri tashme na ka treguar se rregullorja edhe statuti nga menaxhmenti aktual i Fakultetit të Mjekësisë është bërë në bazë të interesa klanore e klienteliste, pa merita”, ka thënë ai, i cili shtoi se do ta zhvillojnë edhe një protestë para Rektoratit. “Lajmërimin e kemi bërë dhe pastaj në mungesë reflektimi, pasi kemi pasur tenativa të vazhdueshme çdo herë kemi hasur në vesh të shurdhër do të thotë nuk jemi takuar prej menaxhmentit, asnjëherë në takim nuk jemi pranuar nga dekania për këto shqetësime që kanë startuar një vit e sa dhe do të vazhdojmë edhe në rektorat”.

E, dekania Manxhuka-Kërliu ka thënë për KOHËN se rregullorja e re është në kundërshtim me akreditimin që u janë nënshtruar programet e fakultetit.

“Fakulteti i Mjekësisë ka reaguar në rregulloren për të ardhura personale të aprovuar në fund të shtatorit 2022 nga konstelacioni i kaluar i Këshillit Drejtues, për të cilën nuk është njoftuar Fakulteti i Mjekësisë paraprakisht”, ka thënë ajo “FM ka reaguar për një pjesë të kësaj rregulloreje që ka të bëjë me mënyrën e mbajtjes së mësimit në grupe. Sipas kësaj rregullore mësimi duhet të mbahet deri në 7 grupe që është në kundërshtim me mënyrën e deklarimit të mësimit të FM-së me rastin e riakreditimit vitin e kaluar. Pra, vitin e kaluar FM ka riakredituar programin e Mjekësisë së Përgjithshme dhe Stomatologjisë me dy grupime të ligjëratave”, ka thënë ajo.

Edhe në dokumentit të cilin e ka siguruar KOHA, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ka kualifikuar se rregullorja nuk përputhet me standardet e akreditimit.

“Kur institucionet e arsimit të lartë ndryshojnë rregulloret e tyre të brendshme duhet të marrin parasysh periudhën e akreditimit dhe t’i përshtatin rregulloret e tyre me kushtet e akreditimit. Në të kundërtën, institucioni duhet t’i nënshtrohet riakreditimit”, thuhet në përgjigjen e KSHC-së drejtuar Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë në nëntor të vitit të shkuar.

Kryetari i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, ka thënë se janë duke e analizuar rregulloren pas opinionit të dhënë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.