Një i ri kosovar i cili është ndër personazhet më të njohura në platformën sociale TikTok është arrestuar nga policia. Ai në një video shihet tek abuzon me një fëmijë. Videot që ka siguruar KOHA tashmë janë fshirë nga rrjetet sociale. Por psikologët bëjnë thirrje për kujdes pasi theksojnë se ekspozimi i fëmijëve ndaj këtyre situatave lë pasoja të rënda tek ta
Një prej personazheve të njohura shqiptare të TikTokut është arrestuar të martën, nën dyshimin për abuzim seksual.
Në videon e cila u bë edhe virale shihet i arrestuari tek e tërheq një fëmijë e pastaj e zhvesh. Viktima shihet se gjatë tërë kohës reziston.
Në përgjigjen e Policisë së Pejës për KOHËN thuhet se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Pasi që kemi vërejtur në rrjetet sociale qarkullimin e një video-incizimi të abuzimit seksual, Stacioni Policor – Klinë menjëherë ka ndërmarrë masat e nevojshme dhe sot në orët e mëngjesit kanë identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar. I njëjti pas intervistimit nga hetuesit me urdhër të Prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Në Prokurorinë Themelore në Pejë kanë thënë se për shkak të ndjeshmërisë nuk mund të ofrojnë më shumë detaje për rastin.
Në TikTok personi i arrestuar futet live dhe sfidohet nga ata që e ndjekin e të tjerë që marrin pjesë në këto video.
Edhe në një video tjetër që e ka KOHA, ai po ashtu, shihet derisa i fut duart nën pantallonat e një fëmije tjetër.
Psikologu Rron Kastrati ka thënë se ekspozimi i fëmijëve ndaj këtyre situatave lë pasoja të rënda te ta.
“Aty shihet qartë që në disa raste qesh, i duket e turpshme, tenton ta shmangë këtë veprim, por imponohet nga personi i tjetër dhe fëmiju pavarësisht moshës së tij, përveç që tentonte ta shmangte situatën ai e dinte që ishte një gjë e ndaluar ajo që po ushtrohej mbi të... Kjo situatë jo vetëm që shkakton probleme emocionale, por edhe sociale, pasojat janë të thella”, ka thënë Kastrati.
Të dyja videot janë fshirë nga rrjetet sociale, e gjersa ato po transmetoheshin live në rrjetin social TikTok, kishte mijëra shikues.