Nga ZPS-ja kanë thënë se Kilaj, i cili ka qenë edhe ish-kryetar i Komunës së Malishevës, është arrestuar lidhur me vepra penale që përfshijnë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave. Paraqitja e tij e parë përpara Dhomave të Specializuara është caktuar për të shtunën. E, në prag të tre vjetorit të arrestimit të ish-presidentit, Hashim Thaçi, dhe të tjerëve, Gjykata Speciale është kritikuar për mungesë të transparencës
Ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj, është bërë i arrestuari i radhës nga Gjykata Speciale, një ditë pas bastisjeve në pronat e tij në Prishtinë dhe në Malishevë.
Ai ishte ftuar për intervistim në Hagë edhe në vitin 2019, porse asokohe nuk pati treguar se në çfarë cilësie.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka bërë të ditur nëpërmjet një komunikate për media se Kilaj është i ngarkuar me vepra penale në të cilat përfshihet pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkelja e sekretit të procedurave.
“Kilaj u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, është shkruar në komunikatën e ZPS-së.
Sipas njoftimit nga kjo zyrë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka dhënë mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në në pajtim me mandatin e vet dhe sipas legjislacionit të Kosovës. Aty është theksuar se edhe Policia e Kosovës ka dhënë mbështetje operative për ZPS-në.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhet në komunikatë.
Paraqitja e Kilajt para Dhomave të Specializuara është caktuar për të shtunën.
E arrestimin e tij e kanë dënuar të premten nga Komuna e Malishevës, në krye të së cilës ka qenë më herët Kilaj. Nëpërmjet një komunikate për media, në këtë Komunë kanë kërkuar që të ndalet përndjekja e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panik dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve. Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit”, shkruan në komunikatë. “Ne kërkojmë që Gjykata Speciale, të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve dhe në të njëjtën kohë, kërkojmë që kjo Gjykatë dhe gjykatat tjera kompetente, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, që të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga shtria dhe policia e shtetit të Serbisë”, është thënë në komunikatën e Komunës.
KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga kryetari aktual i Malishevës, porse zyrtarë të Komunës kanë thënë se që referencë është komunikata e lëshuar për shtyp.
Dyert e shtëpisë së Kilajt të premten kanë qenë të mbyllura. Disa nga banorë të lagjes, të cilët refuzuan që të identifikohen, kanë thënë se bastisja e ndërmarrë të enjten ka nisur që nga orët e hershme të mëngjesit dhe ka vazhduar deri në mbrëmje. Njëri prej tyre, i cili ka theksuar të ketë qenë bashkëluftëtar i Kilajt, e ka kualifikuar si të padrejtë arrestimin e tij.
Mst: Javë e bastisjeve
Arrestimi i Kilajt është bërë në javën kur me urdhër të Prokurorit të Specializuar janë ndërmarrë bastisje në shtëpitë e ish-këshilltarëve dhe bashkëpunëtorëve të ish-presidentit, Hashim Thaçi. Operacionet janë zhvilluar ndërlidhur me procesin hetimor dhe dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Mëngjesin e së mërkurës, Gjykata Speciale e ka bastisur shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltar i Thaçit. Të martën është bastisur prona e ish-këshilltarit tjetër, Artan Behrami, ndërsa aksion të bastisjeve ka pasur edhe në pronat e këshilltarëve të dikurshëm, Blerim Shala e Bashkim Smakaj, i cili njëherësh ka qenë edhe ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas ZPS-së, bastisjet janë të ndërlidhura me hetimet që përqendrohen në veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Për pengimin e administrimit të drejtësisë, Dhomat e Specializuara deri më tash kanë dhënë dënime ndaj udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Specialja e ka ftuar për intervistim edhe ish-komandantin e UÇK-së për zonën operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, porse ai ka thënë se intervista e caktuar për të premten më pas i është anuluar.
“Në mbrëmjen e dt. 1.11. 2023, nga zyrtarët e dhomave të veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kam pranuar një ftesë për t’u intervistuar sot, më 3.11.2023, në orën 09:00. Në ndërkohë, po nga të njëjtët zyrtarë, dje pasdite, fillimisht përmes një thirrjeje telefonike dhe pastaj një sms-je dhe email-i, m’u konfirmua se intervistimi im nga ZPS-ja është anuluar”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.
Ai ka shtuar se në lidhje me çështjen do ta konfirmojë edhe një herë përcaktimin e përkushtimin e tij.
“Si në të kaluarën ashtu edhe sot, por edhe nesër e kurdo që është nevoja, jam i gatshëm për të dhënë kontributin tim në favor të drejtësisë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ashtu siç thonë edhe miqtë ndërkombëtarë. Luftë më të drejtë dhe më të pastër (për aq sa, pastërtinë e tillë e mundësojnë rrethanat e luftës) nuk njeh historia e njerëzimit. Jam me fat që kam qenë njëri nga protagonistët e kësaj lufte, dhe të vërtetën e saj jam i gatshëm ta mbroj në çfarëdo cilësie. Falë luftës së UÇK-së, jo vetëm Kosovës por edhe rajonit, i është hapur rruga e integrimit në familjen evropiane, aty ku e kemi vendin ne si komb dhe si shoqëri”, ka shkruar Mustafa.
Ai ishte intervistuar edhe më herët nga Dhomat e Specializuara në Hagë, në cilësinë e, siç pati thënë, “dëshmitarit të dyshuar”.
Mst: Koci: Specialja ka mungesë transparence
Më 5 nëntor bëhen tre vjet qëkur Specialja e ka bërë publike aktakuzën e parë kundër katër të udhëheqësve të UÇK-së - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Pas arrestimit nga Prokurori i Specializuar, ata janë transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 e 5 nëntor të 2020-s. Në kuadër të aktakuzës që kualifikohet si ndërmarrje e përbashkët kriminale, deri më tash janë paraqitur disa dëshmitarë.
Avokati Arianit Koci, ka vlerësuar se ecurinë e deritashme të Speciales e ka shoqëruar mungesa e transparencës.
“Kam pritur që procesi deri tani të jetë më transparent. Pra, transparenca është shumë e vogël, tash nuk po flas në cilësi të avokatit, por në cilësi të publikut. Publiku ka pasur nevojë shumë më tepër të ketë informacione se çka po ndodh, për shkak se kemi të bëjmë me udhëheqësit më të lartë të UÇK-së dhe të njëjtën kohë kemi të bëjmë me ish-presidentin e Kosovës”, ka thënë Koci. “E kuptoj që në fazën e hetimeve informatat janë të limituara, sepse hetimet janë të fshehta. Por kur kemi të bëjmë me një ish-president dhe drejtues të lartë të UÇK-së, natyrisht se publiku ka nevojë shumë më tepër të ketë informata, sidomos të ketë informata tash kur, siç po shihet, është targetuar një grup i caktuar i njerëzve, kryesisht njerëz që janë afër, rreth ish-presidentit Thaçi. Pra, për të krijuar besimin në zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara publiku duhet të ketë sa më shumë informata se çka po ndodh”.
Sipas aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve, krimet e paraqitura në të janë kryer më së paku prej marsit të 1998-s deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë Veriore. Pretendohet se këto krime janë kryer nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që janë kryer në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.
Këto krime të pretenduara janë përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është ish-senatori zviceran, Dick Marty.