Avokati Besnik Berisha, një ish-zyrtar policor dhe dy persona të tjerë janë arrestuar të enjten nën dyshim për tri vepra penale. Arrestimi i tyre është bërë pas një aksioni bastisjeje në lokacionet e 6 të dyshuarve, prej të cilëve katër janë arrestuar. Pas ndalimit prej 48 orësh, Berisha është shtrirë në Klinikën e Kardiologjisë për trajtim
Pak pas ndalimit prej 48 orësh nën dyshimin për tri vepra penale, avokati Besnik Berisha është shtrirë në Klinikën e Kardiologjisë për trajtim.
Zyra për Media në Qendrën Klinike Universitare ka konfirmuar të enjten pranimin e Berishës, por nuk ka dhënë detaje për gjendjen e tij e as për sa kohë do të qëndrojë në këtë klinikë.
Berisha edhe vetë më parë ishte pronar i një spitali privat të zemrës ku ishin të angazhuar një pjesë e mjekëve që sot punojnë në QKUK. Po ashtu, është avokat i njërit prej kardiologëve të QKUK-së i akuzuar në aferën “Stenta”.
Ai së bashku me një ish-zyrtar policor dhe dy persona të tjerë janë arrestuar mëngjesin e së enjtes me dyshimin për veprën penale dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion, me ç‘rast gjatë këtij aksioni janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit janë arrestuar katër të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë të enjten.
KOHA ka provuar të kontaktojë prokurorin e rastit, Rasim Maloku, për të marrë më shumë informata rreth rastit, por ai nuk është përgjigjur.
Siç mësohet, të dyshuarit janë arrestuar pas një hetimi nga Drejtoria për Krime të Rënda së bashku me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Arrestimi është bërë pas bastisjeve nëpër shtëpitë dhe lokalet e gjashtë të dyshuarve, katër prej të cilëve të arrestuar.
Ndalimin e Berishës për 48 orë e ka quajtur të paligjshëm dhe arbitrar avokati i tij Naim Rudari.
“Asnjë pyetje nuk ka qenë sfiduese. Është pyetur vetëm për të pandehurit e tjerë se a i njeh dhe që të gjithë me gjasë i njeh. Berisha e ka pyetur prokurorin e shtetit se çfarë veprimi ka bërë që të inkriminohet në këtë, por ai nuk ka qenë në gjendje që të japë asnjë shpjegim”, ka thënë avokati Rudari.
Ai nuk ka dhënë detaje të tjera rreth rastit për të cilin është ndaluar Berisha bashkë me tre personat e tjerë.
Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk kanë dhënë më shumë detaje pas arrestimit të të dyshuarve.